Norvegji - Sondazh: Rritet Kundërshtimi Për Anëtarësim Në Be
OSLO, 26 korrik /ATSH-AFP/ - Dy në tre norvegjezë janë kundër një anëtarësimi të vendit të tyre në Bashkimin Evropian, mësohet nga një sondazh i publikuar sot, një kundërshtim që shtrihet në simpatizantë të të gjitha palëve, përfshirë grupimet tradicionale nga më eurofilet.
Sipas këtij sondazhi të bërë publik nga televizioni shtetëror NRK, 66,9 për qind e norvegjezëve janë kundër një anëtarësimi në BE, 24,6 për qind shprehen në favor dhe 9,1 për qind nuk shprehin asnjë mendim.
Euroskepticizmi i banorëve (4,5 milionë) të vendit të pasur skandinav është rritur ndjeshëm muajt e fundit edhe për shkak të krizës ekonomike që ka prekur BE-në dhe tensioneve të shfaqura mes vendeve anëtare.
Partia konservatore në opozitë në Norvegji, që historikisht është shprehur me forcë për anëtarësimin në BE, arrin në një shumicë prej 50 për qind të zgjedhësve të saj të cilët kalojnë në në kampin e "jo"-së kundrejt 42 për qind të të pyeturve të cilët shprehen gjithmonë "po".
"Nuk çuditem aspak me këto shifra. Në përgjithësi raporti i 'po'-së zvogëlohet kur ndodh një krizë ose kur fillon të shfaqet një krizë në Evropë", komentoi në NRK liderja konservatore Ine Eriksen Soereide, kryetare e komisionit të Çështjeve të Jashtme në parlament.
Partia laburiste, tradicionalisht më tepër në favor të BE-së, dhe që qeveris vendin me një koalicion të qendrës së majtë, ka arritur në një pozicion ku 63 për qind e simpatizantëve të saj anojnë për nga "jo"-ja.
Sondazhi u realizua nga instituti Norstat me rreth 940 persona nga data 12 deri më 16 korrik.
Norvegjia, vend i pasur në naftë, e ka kundërshtuar dy herë nëpërmjet referendumeve të viteve 1972 dhe 1994, anëtarësimin në BE. Qeveria aktuale e ka përjashtuar çdo diskutim të ri lidhur me çështjen deri në fund të legjislaturës aktuale që zgjat deri në vitin 2013.
/I.Pu.