P/Ligji I Shish/Kuvendi Shtyn Diskutimin Për Sesionin E Ardhshëm
TIRANË, 26 Korrik/ATSH/.- Kuvendi mbylli sot punimet e sesionit të dytë të Legjislaturës së XVIII, ndërsa disa projektligje që mbetën pa u shqyrtuar në këtë sesion do të kalojnë për diskutim në sesionin e ri parlamentar në shtator.
Gjatë punimeve të seancës së sotme, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se kalendari i zakonshëm trejavor i punës së parlamentit është mbyllur më 22 korrik. "Sot është seanca e fundit me kalendarin e buxhetit dhe çdo p/ligj i seancës së 22 korrikut do të mbartet dhe do të jetë në rend dite në sesionin e ardhshëm", u shpreh kryeparlamentarja.
Mes p/ligjeve që kaluan për shqyrtim në shtator është dhe ai "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", i cili ka qënë në qendër të polemikave politike gjatë ditëve të fundit.
Ky draft, i planifikuar të shqyrtohej në seancën plenare të 22 korrikut u shty pas këmbënguljes së opozitës, e cila u deklarua se komisioni i Sigurisë nuk kishte marrë parasysh disa sugjerime që ndërkombëtarët i adresuan 4 muaj më parë mbi amendimet e këtij ligji.
Amendimet e këtij ligji në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese miratohen në Kuvend me 71 vota. Sipas këtij ligji, një vendim i Kushtetueses e saktëson ligjin për SHISH, lidhur me emërtesën, duke e konsideruar atë organ jokushtetues.
/a.s/f.n/