English

Reportazh/ Himare: Nje Fundjave Ne Bregdetin E Porto Palermos

HIMARE, 26 korrik/ATSH-H.Koçi/.- "Sot nuk është ditë e përshtatshme për plazh, sepse fryn erë dhe dielli shpesh humbet pas reve. Por, ne kemi zgjedhur të vizitojmë këtë kështjellë të vogël dhe të këndshme. Më pas, do të shkojmë në det", thotë Pietro, një turist nga Zvicra, me të cilin përshëndetemi në mjediset e kalasë së Porto Palermos ne orët e paradites të të dielës. Së bashku me bashkëshorten, ata po qëndrojnë në këtë mjedis bregdetar, rreth 85 km në jug të Vlorës. Kanë parkuar kamperin e tyre në gjirin e vogël të Porto Palermos, ku kanë vendosur të qëndrojnë e të pushojnë edhe dy ditë të tjera, për të vazhduar më pas drejt Sarandës. Pietros nuk i pëlqen shumë të flasë, por gjithsesi nuk heziton të vlerësojë bukurinë e bregdetit dhe të kësaj kështjelle, ku, siç thotë, "kthehet 2 shekuj pas në historinë e një personazhi të njohur historik, Ali Pashë Tepelena". Të dielën në Porto Palermo ishin plot 12 kampera me targa nga Zvicra, Kroacia, Gjermania dhe Polonia. Banorët e tyre e "popullojnë" bregdetin e këndshëm shkëmbor në këtë gji të mrekullueshëm. "Prania e kamperave këtu është tashmë e zakonshme. Vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, qëndrojnë 3 apo 4 ditë dhe vazhdojnë udhëtimin më në jug", thotë Fatmiri, pronari i një lokali në këtë pjesë të bregdetit. Në fakt, kjo është një ditë e "varfër", pasi ka raste kur këtu parkohen edhe 40 kampera njëkohësisht. "Porto Palermo bëhet një epiqendër me automjete nga vende të ndryshme të Evropës", thotë Genci, një 45 vjeçar nga Tirana, banor i përhershëm i Porto Palermos bashkë me familjen e vet, bashkëshorten, një djalë dhe një vajzë të vogël. Por kjo e dielë ishte ditë e pazakontë për kulmin e verës, pasi temperaturat kanë rënë me 3-4 gradë, ndërsa qielli është mbushur plot re. Por, pavarësisht, pushuesit nuk mungojnë, përkundrazi, në detin e dallgëzuar shijojnë kënaqësinë që jep notimi. Këtu pushojnë bashkë, shqiptarë e të huaj. Bregdeti shkëmbor i Porto Palermos krijon një lloj intimiteti në këtë drejtim dhe nohje e miqësi familjare mes pushuesve. -Turizmi i kamperave, një dukuri e zakonshme- Praninë e kamperave, ashtu sikundër në Porto Palermo, e ndesh përgjatë gjithë bregdetit të Himarës në këto ditë vere. Në plazhin e Dhërmiut, janë përshtatur disa hapësira për vendosjen e tyre, ku turistët kalojnë disa ditë e netë. Në plazhin e Palasës hapësira është më e bollshme. Më tej, në Qeparo, në Borsh. Ky lloj turizmi, që nisi të shfaqej pak vjet më parë, gjatë kësaj vere po përjeton një dimension të ri. Është një fluks i madh automjetesh që qarkullojnë çdo ditë përgjatë bregdetit. Bregdeti shqiptar i jugut konsiderohet si një zbulim për turistët e huaj, që kanë nisur ta shijojnë atë. Klearkoja, ciceroni 58 vjeçar i kështjellës së Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo, thotë se, çdo ditë, në këtë vend akomodohen mjete të tilla të ardhura nga vende të ndryshme. "Një pjesë prej tyre qëndrojnë në këtë shesh një natë, ndërsa mjaft të tjerë vendosen për më shumë ditë, duke pushuar këtu. Kur vijnë në grupe, organizohen në formën e një kampi, duke punësuar edhe banorë të zonës për të kryer shërbime të ndryshme", thotë historiani. "Turistëve të huaj u pëlqen peshku, që e marrim të freskët nga peshkarexhat, që ankorohen në limanin e Porto Palermos, por u pëlqen shumë edhe mishi i qengjit, apo i kecit, që ne e servirim të pjekur në hell, apo në zgarë", thotë Fatmiri, pronar i lokalit të vetëm në këtë zonë. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore po shërben për rritjen dhe shumëfishimin e këtij lloj turizmi në këtë sezon vere./a.ke/
KOMENTE