English

Shba - Afganistan/Arkiva Sekrete: Një Deputet Shprehet Për Dokumente Të Vjetëruara

UASHINGTON, 26 korrik /ATSH-AFP/ - Një i zgjedhur me influencë i Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë kërkoi sot të mos merren parasysh "raporte të vjetra" lidhur me shkallën e bashkëpunimit të Pakistanit, pas publikimit të mijëra arkivave sekrete për luftën në Afganistan. "Disa nga këto dokumente e akuzojnë Pakistanin se ndihmon talebanët dhe rebelimin në Afganistan. Është shumë e rëndësishme që të mos i përdorim këto raporte të vjetra për të përshkruar bashkëpunimin e Pakistanit në përpjekjet tona në Afganistan", bëri të ditur sot në një komunikatë Ike Skelton, president i Komisionit të Mbrojtjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Skelton siguroi se që prej atëherë Pakistani është rritur ndjeshëm në fuqinë e tij luftarake kundër talebanëve. Megjithatë, i zgjedhuri demokrat u shpreh "i shqetësuar" për sa i përket publikimit të dokumenteve në faqen e internetit "Wikileaks", që ai e quajti ''të pakujdesshme", sepse ajo vë në rrezik të madh jetën e ushtarakëve amerikanë të cilët luftojnë në terren. Por, sipas tij, publikimi i këtyre dokumenteve "duket se mbështet" opinionin e tyre për luftën në Afganistan sipas të cilit, gjërat nuk funksiononin mirë. "Kishim nevojë për një strategji të re", vazhdoi ai. Rreth 92 000 dokumentetë vitit 2004 janë publikuar dje pasi i janë dërguar të përditshmeve "New York Times", asaj britanike "The Guardian" dhe të përjavshmes gjermanel'' "Der Spiegel". Sipas "Guardian", këto dokumente japin "një pamje shkatërrimtare të një lufte që është duke dështuar". Ndërsa senatori Kit Bond, kreu republikan i komisionit të Zbulimit të Senatit amerikan, reagoi ashpër sot duke e cilësuar "shokuese" publikimin e dokumenteve nga persona që, sipas tij, "tradhëtojnë vendin e tyre". "Dëmet në sigurinë tonë kombëtare të shkaktuara nga publikimi i këtyre dokumenteve nuk do të marrin fund për sa kohë nuk do t'i kemi futur në burg autorët e tyre", theksoi Bond. /I.Pu.
KOMENTE