English

Sherr në Rubik, plagoset me thikë pronari i një lokali dhe pike karburanti

Mirditë, 26 korrik, NOA – Policia e Mirditës ka arrestuar para pak minutash 26-vjeçarin Spartak Doda, nga qyteti i Rubikut, i implikuar në një plagosje.

Arrestimi i Dodës, sipas burimeve zyrtare të policisë së Mirditës për agjencinë e Lajmeve NOA ka ndodhur konkretisht, pas plagosjes me thikë të 38-vjeçarit Arben Përlala po me banim në Rubik, i cili është edhe pronari i një lokali dhe pike karburanti në hyrje të qytetit të Rubikut.

Sipas tyre, plagosja e Përlalës ka ndodhur në orën 18.00 të ditës së sotme, pas një sherri për motive të dobëta, ku pas debateve me Dodën, kanë nisur edhe ofendim me fjalor banal me njëri-tjetrin.

Ndërsa Spartak Doda e ka parë veten të pafuqishëm për t’u mbrojtur nga Përlala, ai ka nxjerrë një thikë që mbante me vete duke e qëlluar 38-vjeçarin një herë me të në trup dhe duke e lënë të plagosur.

Mësohet se pas plagosjes së 38-vjeçarit, Doda ka tentuar të largohej në drejtim të paditur, por reagimi i shpejtë dhe i menjëhershëm i policisë së Mirditës, ka bërë që ai të arrestohej, e t’i sekuestrohej edhe thika e krimit.

Ndërsa i plagosuri Përlala ka përfunduar në spitalin e Rrëshenit, ku vazhdon të kurohet.

Sipas mjekëve të këtij spitali Përlala është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që hetime të mëtejshme do të kryhen ndaj të arrestuarit Spartak Doda dhe të plagosurit Arben Përlala.

a.b/NOA

KOMENTE