Shkodër: Martin Camaj, Shkrimtari Dhe Albanologu, Konferencë Shkencore
SHKODËR, 26 Korrik/ATSH-G. Marku/.-Shkrimtari dhe albanologu Martin Camaj u përkujtua të hënën në një konferencë shkencore organizuar në Shkodër, me rastin e 85 vjetorit të tij.
Martin Camaj ishte një intelektual i formuar, shkrimtar, gjuhëtar, albanalog, me një kontribut të gjithanshëm në kulturën shqiptare, u shpreh Dr. Tomorr Osmani, drejtues i Qëndrës Kërkimore Shkencore Albanologjike.
"Martin Camaj, i cili jetoi larg lexuesit të tij natyral, iu mohua komunikimi me njerëzit e gjuhës së vetë natyrore, ndërsa letërsisë në tërësi dhe kombit të vetë iu mohua komunikimi shpirtëror me njeriun që e dashuronte këtë gjuhë dhe lirinë e bukurinë e saj, në të gjitha përmasat e shprehësisë dhe tingujve nga rridhte mendimi shqip," tha Prof. as. Dr. Ledri Kurti, në referatin e saj.
Martin Camaj u arratis nga Shqipëria në vitin 1948, duke e kaluar pjesën tjetër të jetës në mërgim, ku edhe vdiq në 1992.
Studiuesit vlerësuan punën e Camajt si poet, shkrimtar, dramaturg, studiues i letërsisë dhe kritik i procesit letrar, botues i "Shëjzave", botues i letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, studiues i letërsisë më të vjetër shqipe duke filluar nga Buzuku e duke përfshirë edhe Bogdanin, studiues i dukurive gjuhësore të shqipes në rrafsh historik e aktual, autor kërkimesh dialektologjike në mjediset arbëreshe, autor studimesh të mirëfillta gjuhësore duke përfshirë dhe rrugën e formimit të shqipes letrare, hartues i një gramatike të shqipes për të huajt, mësimdhënës titullar i lëndëve të albanologjosë në Ludwig Maximilian University të Muenchen-it etj.
E pranishme në konferencë ishte edhe bashkëshortja e poetit të ndjerë, Dr. Erika Camaj, e cila nga ana e saj mban një lidhje dhe bashkëpunim shumë të ngushtë me Shqipërinë.
Zonja Camaj, dhuroi dy botime të veprës së plotë letrare të Camaj, njërin për biblotekën e Unniversitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës si dhe tjetrin për shoqatën atrdhetare "Dukagjini", e cila vitet e fundit po interesohet së tepërmi për vlerat dhe respektin ndaj figurës së Martin Camajt.
Konferenca "Martin Camaj për kulturën shqiptare. Shkrimtari dhe albanologu", u organizua nga Qendra Kërkimore Shkencore Albanologjike, Departamenti i letërsisë dhe gjuhësisë i universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës.
Camaj, pak biografi
Martin Camaj në 1925, në fshatin Temal, Shkodër. Ai studioi në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, por në 1948, për shkak të vendosjes së regjimit komunist, Camaj u largua nga Shqipëria. Në Universitetin e Beogradit stdusioi për italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë.
Në 1956 ai u largua nga Jugosllavia për në Itali, ku vazhdoi studimet dhe mbrojti doktoraturën. studion sërish dhe doktorohet. Në Romë u bë kryeredaktor i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe u mor me studimin e botës arbëreshe.
Më 1961 u vendos në Mynih, Gjermani, ku u specializua në gjuhësinë shqipe, pa u shkëputur nga letërsia. Më pas, Camaj punoi si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992./ch/