Shqiperi- Kosove: Fluks Normal I Levizjes Se Mjeteve Mes Dy Vendeve
KUKES, 26 korrik/ATSH-R.Hoxha/. - Fluksi i lëvizjes së mjeteve mes Shqipërisë e Kosovës këtë fundjavë ka qenë i pritshëm për periudhën me vënien në funksionim të autostradës.
"Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Morinit 4740 automjete të llojeve të ndryshme, prej të cilave 46 autobuzë me mbi 16 mijë persona, ndërsa hynë në Kosovë nga Shqipëria, 4620 automjete me mbi 14700 persona", tha per ATSH-ne zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së qarkut të Kukësit, Odeta Popa.
Ndërtimi i autostradës Morin - Kukës - Durrës ishte parashikuar nga specialistët që të përballonte një fluks prej 6000 mjetesh në 24 orë. Por ky tregues është tejkaluar ndjeshëm në këtë periudhë të kthimit të emigrantëve e të frekuentimit të plazheve të bregdetit shqiptar.
Fluksi i lëvizjes në doganën e Morinit në orë të vecanta, në mëngjes e mbrëmje krijon edhe rradhë të gjata të mjeteve në të dy anët e kufirit që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Ndërkohë, në 5 pikat e tjera të kalimit kufitar mës dy vendeve, fluksi i lëvizjes në të dy anët është normal, pa shkaktuar probleme për doganierët e policinë kufitare.
Kështu, gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Qafë Morinës të rrethit të Tropojës lëvizën në të dy anët e kufirit 80 mjete të llojeve të ndryshme, në pikën e kalimit kufitar të Qafë Prushit të rrethit të Hasit lëvizën 46 mjete, ndërsa në pikat e kalimit kufitar të Orgjostit, Shishtavecit e Borjes, fluksi i lëvizjes, kryesisht nga këmbësorët, rezulton minimal, deri në 10 persona në 24 orë. /a.ke/