Sport-Basketbolll/ Kombëtarja E Meshkujve, Turne Miqësor Në Kosovë
TIRANË, 26 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Kombëtarja e meshkujve në basketboll do të marrë pjesë në fund të korrikut në një turne 3-ditor në Kosovë, pjesë e përgatitjeve të eliminatoreve të kampionatit europian.
Lajmin e bënë publik drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit, që konfirmuan edhe kundërshtarët e kuqezinjve. Përballë kombëtares së trajnerit Mark Dikel do të jetë kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky turne është vetëm për meshkujt, që do t'i nisin eliminatoret e evropianit më 8 gusht, ndërsa femrat do të luajnë më 1 gusht, duke mos pasur kohë për të qenë në Kosovë.
Ka qenë FSHB-ja ajo që i kërkoi Federatës Kosovare të Basketbollit (FBK-së) një ndeshje miqësore në fund të korrikut në Prizren, ftesë e cila u mirëprit dhe përgjigja ishte pozitive, edhe pse në këto momente basketbollistët e kombëtares kosovare janë me pushime.
FBK-ja është shprehur e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në përgatitjet e kësaj të fundit për evropianin, madje ka organizuar në Prishtinë një turne miqësor, ku ka ftuar edhe kombëtaren e Emirateve të Bashkuara Arabe, që e kanë pranuar ftesën. Turneu do të zhvillohet më datat 29, 30 dhe 31 korrik.
Sipas kalendarit të përgatitur nga Federata Kosovare e Basketbollit, kuqezinjtë do të luajnë në ditën e parë pikërisht me Kosovën, më 29 korrik. Ndeshja e fundit miqësore e luajtur me ta ka qenë në shkurt 2008, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, fituar nga Shqipëria, që asokohe drejtohej nga trajneri Roland Avrami.
Kjo do të jetë sfida e dytë zyrtare mes dy shteteve. Ndërsa në ditën e dytë, më 30 korrik, rival i kuqezinjve është kombëtarja e Emirateve të Bashkuara Arabe. Në ditën e tretë, më 31 korrik, do të luajë Kosova dhe Emiratet Arabe, por në atë ditë Shqipëria ndoshta do të jetë duke bërë kthimin për Tiranë. Të trija ndeshjet do të luhen në pallatin e sportit të Prishtinës, në orën 20.00.
Por, aktualisht ekipi kombëtar i meshkujve në basketboll, së bashku me atë të femrave, ndodhen në një fazë përgatitore 10 ditore në Turqi (në Stamboll, që prej 16 korrikut). Të dy ekipet stërviten rregullisht dy herë në ditë, madje kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, me ekipet vendase apo të huaja, që po zhvillojnë aty fazën përgatitore.
Kombëtaret shqiptare përgatiten për eliminatoret e evropianit, që do të nisin më 1 gusht për femra dhe 8 gusht për meshkuj. Por faza përgatitore e ekipeve tona ka nisur kohë më parë, që në Shqipëri, ku në mes të qershorit meshkujt janë stërvitur në "Fahrie Hoti" dhe prej 1 korrikut, femrat janë stërvitur në Vlorë./n.m/