English

Sport-Futboll/ Aris Largon Mbrojtësin Shqiptar, Kristi Vangjeli

TIRANË, 26 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Kristi Vangjeli, ka mbetur pa skuadër. Lajmi konfirmohet nga mediat greke, që u referohen zhvillimeve të fundit te skuadra e Arisit të Selanikut. Shkak për lënien jashtë skuadrës së Arisit është bërë trajneri argjentinas, Hektor Raul Kuper, që e ka marrë prej pak kohësh drejtimin e skuadrës. Vangjeli nuk ka qenë në planet e trajnerit, ç'ka i ka detyruar drejtuesit e klubit t'i kërkojnë zgjidhjen e kontratës. Vangjeli është rritur te skuadra e Arisit të Selanikut dhe luan për ngjyrat verdhezi prej tetë vjetësh, por me sa duket ka ardhur momenti që palët të ndahen. Në fakt, çështja "Vangjeli" doli në pah pas publikimit të listës së futbollistëve të Arisit për Kupat e Europës. Në grupin e lojtarëve që Kuperi u kishte besuar për aventurën europiane mungonte emri i Vangjelit. Nuk ishte një zgjedhje momentale e trajnerit Kuper, por përfundimtare: Vangjeli duhet të gjente skuadër tjetër. Mediat greke nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për zgjidhjen e kontratës, që për ironi u rinovua një vit më parë. Korçari Kristi Vangjeli ka edhe dy vjet të tjera kontratë me Arisin e Selanikut, pavarësisht se klubi i ka kërkuar të gjejë skuadër. Verën e shkuar, Vangjelit, që ishte 23 vjeç, i skadoi kontrata me klubin dhe u deshën javë të tëra bisedime për të arritur kompromisin për zgjatjen e saj. Në fund palët ranë dakord,Vangjeli do të luante edhe për tri vite të tjera në Selanik. Por kjo ndodhi vetëm një sezon. Mospërfshirja në Kupat e Europës ishte sinjali domethënës për pamundësinë e vijimit të bashkëpunimit. Ndërkohë, klube të vogla në Greqi, por që luajnë në kategorinë e parë, kanë filluar të mendojnë për shërbimet e shqiptarit, që ndonëse në moshë të re ka eksperiencë të gjatë në futbollin grek. Panserraikos i ka bërë ofertën e parë, por mediat greke konfirmojnë se mbrojtësi shqiptar ka refuzuar. Nuk dihen arsyet e përgjigjes negative të Vangjelit (ndoshta ekonomike), por një gjë është e sigurt: ai vështirë ta bindë Kuperin që ta përfshijë në planet e tij për sezonin e ri. Problemet me Arisin e Selanikut nuk kanë ndikuar në marrëdhëniet e 24-vjeçarit korçar me kombëtaren kuqezi. Stafi i kombëtares ka përgatitur listën për miqësoren me Uzbekistanin, madje u ka nisur ftesën futbollistëve. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Vangjelin, që megjithëse pa skuadër, do të luajë me përfaqësuesen kuqezi më 11 gusht. /a.ke/
KOMENTE