English

Sport-Futboll/ Lojtarët E Kombëtares, Prova Zhgënjyese Tek Klubet Evropiane

TIRANË, 26 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Futbollistët e kombëtares shqiptare nuk po kalojnë një periudhë të mirë në këtë fazë. Erjon Bogdani ka bërë debutimin e tij me fanelën e Çezenës, në miqësoren që kjo e fundit luajti ndaj modestëve të Pergokremës. Ndeshja përfundoi në barazim 0-0, ndërsa rastin më të mirë të saj e ka patur pikërisht sulmuesi kuqezi. I gjendur vetëm për vetëm me portën, Bogdani e ka dërguar topin lart në mënyrë të habitshme, duke bërë një debutim jo aq të mirë. "Ishte një test i mirë, nuk ka asnjë rëndësi rezultati", deklaroi pas ndeshjes trajneri i Çezenës, Masimo Fikadenti. Ndërkohë, Elis Bakaj ka dështuar në provën e tij te gjermanët e Hanover 96, duke mos bindur trajnerin dhe drejtuesit e këtij klubi. Fantazisti i Dinamos pritet të kthehet sot në Tiranë. Një gjë e tillë në fakt është konfirmuar edhe nga klubi kryeqytetas, që ka bërë të ditur se Elis Bakaj do të vazhdojë karrierën me të edhe për sezonin e ardhshëm. Bakaj shkoi një javë më parë te Hanover 96, një skuadër ku militon prej vitesh edhe kapiteni i kombëtares Altin Lala. Skuadra e Bundesligës gjermane ishte gati të paguante 800 mijë euro për kartonin e tij, por futbollisti më parë duhet të provohej. Por, mesa duket, Bakaj nuk e ka bindur trajnerin Mirko Slomka, i cili disa herë është shprehur me rezerva për aftësitë e tij. Ndërsa sulmuesi Besart Berisha ka shkëlqyer në ndeshjen miqësore që ka zhvilluar skuadra e Arminia Bielefeldit në fundjavë. Sulmuesi shqiptar ka shënuar 4 gola në fitoren 10-1 kundër skuadrës së Kategorisë së Katërt, Pasauer Krasuausval. Shqiptari ka qenë i papërmbajtshëm dhe ka hapur serinë e golave që në minutën e 12-të të takimit. Më pas, ai ka shënuar edhe tre gola të tjerë (35', 50' 70'). Tekniku i Arminia Bilefeld, Kristian Ziege, tashmë është vënë para përgjegjësisë. Sulmuesi shqiptar po bën paraqitje shumë të mirë në këtë fazë përgatitore. Ndaj numri një i stolit do të duhet t'i gjejë një vend në formacionin bazë, gjë që i ka munguar ish-sulmuesit të Kombëtares sonë në edicionin e kaluar. /a.ke/
KOMENTE