English

Sport-Speciale/ Trukimet, Hija E Dyshimit Në Futbollin Shqiptar

TIRANË, 26 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/. - Eleminimi i skuadrave shqiptare nga Kupat e Evropës me humbje të thella ka ngritur edhe një herë dyshimet për trukime ndeshjesh ndaj klubeve shqiptare. Golaverazhi i ekipeve shqiptare në Kupat e Europës, për edicionin 2010-2011, është mëse negativ, 7 gola të shënuar dhe 27 të pësuar. I pari që u dyshua ishte Laçi, debutues në Kupat e Evropës. Ndaj Dnepr Mogilev, kurbinasit barazuan 1-1 në sfidën e parë, luajtur në "Niko Dovana" të Durrësit, por u mundën thellë 7-1 në kthim, në Bjellorusi, ç'ka u pasua me zëra për shitje të ndeshjes nga lojtarët, të cilët edhe u përjashtuan nga presidenti Pashk Laska. Zëra për shitje të ndeshjes pati ehde për takimin Utreht - Tirana 4-0, ku trajneri i Tiranës, Sulejman Starova, akuzoi lojtarët e tij, por më pas analiza e klubit mbylli gjithçka. Ndërkohë dyshimi më i madh bie mbi besën humbjet ndaj Olimpiakosit 5-0 në "Qemal Stafa" dhe 6-1 në "Karaiskaqis", detyruan trajnerin Shpëtim Duro të thotë se kërkon shpjegime nga lojtarët e tij për këto rezultate të turpshme. Sidomos kur në ndeshjene kthimit u shënuan 7 gola vetëm në pjesëne dytë. Teksa vijon të jetë në fuqi hetimi i UEFA-s për ndeshjet e trukuara të dy klubeve shqiptare, Tirana e Vllaznia në nëntorin e vitit 2009, skuadrat shqiptare dyshohen sërish për trukime ndeshjesh në Evropë. Por kjo nuk është hera e parë. Kur Vllaznia u kualifikua në turin e dytë të Kupës Intertoto pas eliminimit të NK Zagreb para dy vitesh, mediat kroate hodhën dyshimet për rezultat të paravendosur, madje shuma e luajtur ishte aq e madhe (mbi 10 milionë euro), sa që për ndeshjen e kthimit në Shkodër, u shqetësua edhe vetë delegati i UEFA-s, që në bisedë e sipër për "lojë korrekte dhe të monitoruar", la të kuptohej se do të ishte më mirë që Vllaznia të humbiste takimin duke "djegur" fitimet e pritshme të palës kundërshtare. Vllaznia fitoi takimin me kroatët, i eleminoi ata, por në median kroate u fol se NK Zagreb pagoi rreth 2 milionë euro borxhe. Kjo për vlerën që posedon tregu i basteve on-line ku luhen miliona euro në të gjithë planetin. Raste dyshimi për trukim ndeshjesh janë hedhur edhe për kombëtaren shqiptare të futbollit. Humbjet në eleminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2008, 2-4 ndaj Bjellorusisë dhe 6-1 ndaj Rumanisë në Bukuresht, bënë që të hidhen akuza të rënda për trukim ndeshjeje nga ana e lojtarëve shqiptarë. Ky qe dhe shkaku kryesor i largimit të trajnerit Oto Bariç nga drejtimi i kombëtares shqiptare, pasi kishte deklaruar disa ditë përpara këtyre dy takimeve se do të rinovonte kontratën me FSHF-në. Për klubet shqiptare të futbollit nuk mund të thuhet se gëzojnë status të mirë përballë kundërshtarëve të tyre në kompeticonet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA. Kompanitë më të mëdha të basteve janë dyshueset më të mëdha në efektshmërinë e formacioneve që vijnë nga Shqipëria. Koeficientët e ulët që shoqërojnë skuadrat tona në sfidat e zonës europiane dëshmojnë besueshmërinë e pakët të ekspertëve të futbollit dhe staticienëve që i furnizojnë me të dhëna paraprake hartuesit e koeficientëve, të cilët vendosin koeficientë shumë të ulët. A ka një bazë të dhënash mbi të cilat kompanitë e basteve vendosin edhe koeficientët e tyre? Në vështrim të parë, kur shikon ndryshimin e theksuar të diferencave në koeficientët e ekipeve shqiptare me ato të huaja, të vjen keq për vlerësimin që i bëjnë ekipeve tona, por nga ana tjetër "bastexhinjtë" janë njëkohësisht edhe njohësit më të mirë të cilësisë së futbollit modest shqiptar. Në jo pak raste klubet shqiptare janë dyshuar për trukime rezultatesh, kur kanë humbur me rezultat të thellë apo në ndeshje që në 90 minuta prodhojnë një numër të konsiderueshëm golash. Humbjet befasuese me katër gola diferencë apo shenja "2"-sh nuk janë të rralla për ekipet shqiptare. Dinamo, pjesëmarrëse në Kupën UEFA në sezonet 2003-2004 dhe 2004-2005, pësoi dy humbje (me belgët e Lokerenit 0-4 dhe rumunët e Otelul Galati 1-4), që të dyja në Tiranë, rezultate këto që kanë provokuar humbje disa milionëshe të kompanive të basteve. Nisur nga ky fakt, në jo pak raste ndeshjet e skuadrave shqiptare nuk kuotohen. Megjithatë edhe për këtë problem janë bërë disa hapa përpara. Në kuadrin ligjor të parashikuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për Sportin, në vitin 2008 u miratua një ligj për një shtesë në Kodin Penal për "Paracaktimin e rezultatit (trukimi i ndeshjeve) dhe ndalimin e përdorimit të substancave doping në garat sportive". Sipas këtij ligji, çdokush që trukon rezultatin e një takimi futbolli, do të dënohet. Masa ndëshkimore parashikohet të jetë nga gjobë, deri në dy vjet heqje lirie. Ky ligj i jep më tepër rëndësi akuzave të UEFA-s, të cilat nëse konfirmohen, rrezikojnë të ndëshkojnë rëndë futbollistët dhe drejtuesit e Tiranës dhe Vllaznisë. Në ministrinë e Sporteve është ngritur një organizëm, i cili merret posaçërisht me shitblerjen e ndeshjeve. Drejtori i sporteve në MTKRS, Vasil Bici, ka theksuar për ATSH-në se "ligji për sportet synon frenimin e trukimit të rezultateve të ndeshjeve në futboll". Sipas tij, "është e nevojshme që për këtë fenomen të mos flitet më me hamendje, u shit apo nuk u shit ndeshja, ndaj detyra e këtij institucioni të veçantë do të jetë ndjekja hap pas hapi e proçedurave dhe evidentimi i personave që bëjnë shkelje të tilla, duke përfituar në kurriz të sportit". Në fakt, një komision i tillë hetimor ekziston që prej më shumë se katër vitesh në Federaten Shqiptare te Futbollit, por ai nuk ka dalë me asnjë vendim zyrtar për akuzat e shitjeve të ndeshjeve, qofshin këto kombëtare apo ndërkombetare. - Disa nga ndeshjet e klubeve shqiptare të dyshuara për trukim 1991-1992: Selenica-Tirana 4-2 1992-1993: Besa-Tirana 7-1 1994-1996: Shqipëri-Uells 1-1 2002-2003: Besa - Partizani 5-4 2006-2008: Rumani-Shqipëri 6-1 2002-2003: Dinamo-Brondbi 0-4 2003-2004: Dinamo-Lokeren 0-4 2003-2004: Partizani-Birkikara 4-2 2003-2004: Vllaznia-Dandi 0-2 2004-2005: Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin, 0-3, 1-3 2004-2005: Dinamo-Otelul Galati 0-4 2005-2006: Ekranas-Elbasani 3-0 2007-2008: Bezhanija-Besa 2-2 2007-2008: Besa-Liteks Loveç 0-3 2007-2008: Slaven Belupo-Teuta 6-2 2009-2010: Vllaznia-Rapid 0-3, 0-5 2009-2010: Stabaek-Tirana 4-0./n.m/
KOMENTE