Stina E Verës-Apel Për Dhurimin Vullnetar Të Gjakut
TIRANË, 26 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Tashmë është e ditur që stina e verës shoqërohet me ulje të numrit të dhurimeve të gjakut, ndaj për të siguruar mbulimin me rezervat e domosdoshme të rasteve që kanë nevojë për këtë produkt, strukturat shëndetësore në vend, por dhe organizatat joqeveritare, apelojnë për dhurimin vullnetar të gjakut.
Ndërkohë, janë vetë strukturat shëndetësore që po dhurojnë gjak, sipas një kalendari të përcaktuar në fillim të verës, për të siguruar rezervat e nevojshme për të sëmurët talasemikë, por dhe për të gjithë personat që kanë nevojë për këtë produkt. Nga ana tjetër, nevojat e pacientëve për gjak gjatë stinës së verës janë në rritje si rezultat i shtimit të numrit të traumave, sëmundjeve tumorale, krahas kërkesave të vazhdueshme të personave që vuajnë nga sëmundje kronike si, ato të gjakut, veshkave etj.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se në vend është përmirësur cilësia e dhuruesve të gjakut dhe është rritur numri i dhurime pa pagesë, veçanërisht dhurimet nga dhuruesit vullnetare të gjakut.
Kështu, bazuar në të dhënat, në vitin 2009 (22 724 dhurime të gjakut), krahasuar me vitin 2005 (14 670 dhurime), numri i dhurimeve të gjakut është rritur me 55 %. Sa i takon dhurimeve vullnetare, në vitin 2009, numri i tyre përbën 19.3 % të totalit kundrejt 11% në vitin 2005. Ndërsa, duke krahasuar të dhënat e pesëmujorit të parë të këtij viti, me të njejten periudhe te vitit te kaluar, numri i dhurimeve eshte dyfishuar. Megjithatë, sipas MSH, ende nuk është arritur mjaftueshmëria me gjak dhe ka shumë për të bërë në drejtim të rritjes së dhurimit pa pagesë, sidomos dhurimit vullnetar të gjakut.
Por, sigurimi i gjakut të sigurt dhe cilësor, të mbledhur nga dhurues vullnetarë pa pagesë të gjakut, përbën tashmë një nga prioritetet e MSH. Prej vitesh po punohet për ndryshimin e sistemit të dhurimit të gjakut, duke kaluar nga sistemi tradicional i dhurimit të rregullt me pagesë, në sistemin e dhurimit të rregullt pa pagesë.
Në shumicën e vendeve te Europës, ku dhurimi është 100% vullnetar, kjo gjë i dedikohet rritjes së rolit të dhuruesve vullnetarë të papaguar të gjakut, të cilët japin gjak rregullisht.
Siguria e gjakut, sipas MSH, lidhet me dy elementë kryesore, cilësinë e dhuruesit dhe metodat e testimit të gjakut. Deri tani 99% e gjakut të mbledhur në mbarë vendin testohet në Tiranë me metoda bashkëkohore, duke ndikur keshtu drejtperdrejt në ritjen e cilësisë dhe sigurisë së gjakut të mbledhur. Ndërsa këtë vit, MSH ka vënë në dispozicion shumën prej 90 milion lekë për blerjen e pajisjeve laboratorike, duke synuar modernizimin e proçedurave të kontrollit të gjakut dhe ritjen e cilesise te testimit.
Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe njëherësh forma më e mirë e mbledhjes së gjakut cilësor dhe të sigurt për pacientët në nevojë. /a.ke/