English

Stina E Verës-Mjekët: Kujdes Nga Ndikimi I Temperaturave Në Shëndet

- Në kuadër të Muajit të Sensibilizimit për Mbrojtjen nga të Nxehtit - TIRANË, 26 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate, por tregoni edhe kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana e të sëmurët kronikë, në stinën e verës në kushtet e temperaturave të larta, këshillojnë specialistët e shëndetit publik. Ndërkohë, numri i të pacientëve me simptoma të stinës gjatë një jave në rang vendi, arrin në mbi 10 mijë, nga të cilat mbi 5500 janë raste të infeksioneve respiratore të sipërme. Por, pavarësisht se vendi është përfshirë nga reshje shiu e si pasojë rënia e temperaturave me rreth 5 gradë celcius, mjekët këshillojnë të tregohet kujdes. Sipas tyre, eshte i rekomandueshëm konsumimin e deri 2 litrave ujë në ditë dhe jo pije alkoolike. "Evitoni lëvizjet dhe aktivitetet fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00", thonë mjekët. Fëmijët, të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj temperaturave të larta, si dhe të moshuarit, janë mosha që duhet të tregojë më tepër kujdes. Mjekët këshillojnë edhe personat e moshës alternative (as të moshuar, as fëmijë) që të kenë kujdes nga temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell, që mund të shkaktojnë probleme të rëndësishme dhe ndonjëherë mjaft të mprehta shëndetësore, siç janë hipertermia malinj (rritja e shpejtë dhe shumë e lartë e temperaturës së trupit), goditja nga dielli, humbja e madhe e lëngjeve dhe kripërave të trupit me anë të djersës, si dhe djegiet e lëkurës akute dhe kronike. Por, nga ana tjetër, mjekët japin këshilla dhe për mbajtjen e ambjentit në shtëpi sa më të freskët, e po kështu kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e kondicionerëve. Për të gjithë ata, që janë të detyruar të dalin në orët e pikut dhe udhëtojnë me makinë, specialistët e shëndetit publik thonë se është e nevojshme që të mbajnë gjithmonë me vete ujë, ndërsa gjatë ndalesave të evitohet ngrënia e shpejtë apo pijet alkoolike, ato me shumë sheqer apo kafeinë. "Mbi të gjitha, mos parkoni në diell, e nëse do ta bëni një gjë të tillë, para se të niseni hapini dritaret për të ulur temperaturën e brendshme, ndërsa për ata që kanë kondicioner, temperatura në makinë nuk duhet mbajtur më pak se 25-27°", sqarojnë mjekët. Disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurtë, larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve, sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët etj). /a.ke/
KOMENTE