Thaçi: Gjnd Ka Vulosur Dhe Legjitimuar Ne Gjithe Boten Pavaresine E Kosoves
PRISHTINË, 26 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- "Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ka vulosur dhe e ka legjitimuar në gjithë botën pavarësinë e Kosovës", tha sot kryeministri Hashim Thaçi në një seancë plenare të Parlamentit.
Duke e marrë fjalën në fillim të seancës, ai theksoi se opinioni i GJND-së ka respektuar vullnetin e qytetarëve kosovarë dhe vendimin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur sovran të datës 17 shkurt 2008 në këtë parlament, si dhe angazhimet për ndërtimin e shtetit demokratik dhe multietnik.
"Opinioni i GJND-së ishte fitore historike për shtetin dhe popullin e Kosovës, por ishte fitore edhe për gjithë rajonin", theksoi kryeministri Thaçi. "Ky mendim nuk është i drejtuar kundër askujt, por është në dobi të drejtësisë, paqes, stabilitetit dhe gjithë neve që jetojmë në rajon dhe më gjerë", theksoi ai.
Kryeministri Thaçi shtoi se "opinioni i GJND-së i dha përgjigje të drejtë gjithë botës mbi të drejtën e luftës sonë për çlirim, liri dhe shtet". "Shteti i Kosovës sot është shteti më i legjitimuar në drejtësinë ndërkombëtare, në historinë e re të krijimit të shteteve në botë", vlerësoi ai.
Kreu i qeverisë ritheksoi edhe një herë se "tani pas prezantimit të opinionit të GJND-së, definitivisht pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës i ka ardhur fundi suksesshëm", duke shtuar se "po hyjmë në kapitullin e integrimit në NATO e në BE me autoritetin tonë sovran kushtetues dhe ligjor".
"Pasi opinioni i GJND i ka dhënë përgjigjen më të mirë, më të drejtë gjthë botës, edhe atyre vendeve që ende janë në proces të vendimmarrjes së njohjes, edhe një herë, në emër të Qeverisë së Kosovës, i ftoj që ta përshpejtojnë këtë vendim dhe ta njohin shtetin e suksesshëm të Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi. /a.ke/