English

Topi Dekreton Ligjin "Për Sektorin Minerar"

TIRANË, 26 Korrik/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi sot shpalljen e ligjit "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë", i miratuar në Kuvend dy javë më parë. Ky ligj synon të rregullojë veprimtarinë në sektorin minerar duke garantuar transparencën dhe konkurrencën e lirë në të, si dhe maksimizimin e fitimeve nga ky sektor, por në harmoni me politikat e mbrojtjes së mjedisit. Kreu i shtetit dekretoi sot dhe disa ndryshime në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore", të cilat garantojnë funksionimin e policisë gjyqësore sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, si dhe shmangien e rasteve të përdorimit në mënyrë abuzive të këtij institucioni. Ky ligj ka dhe konsensusin e institucionit të Prokurorisë. Gjithashtu, Presidenti dekretoi sot shpalljen e ligjit "Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve", si dhe të disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin "Për transportet rrugore"./a.s/f.n/
KOMENTE