English

Transfertat e emigrantëve, mbështesin ekonomitë e vendeve të Ballkanit

Berlin, 26 korrik, DW - Në kohën e krizës ekonomike dhe financiare për vendet e varfëra janë shumë të rëndësishme paratë e emigrantëve. Në vendet e Ballkanit pritet që fillimi i sezonit veror t'i shtojë këto burime.

Migrantët që punojnë në perëndim janë burim i rëndësishëm financiar për vendet e varfra. Në rastin e Moldavisë apo Taxhikistanit, këto burime përbëjnë më shumë se një të tretën e parave të Prodhimit Bruto në vend.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, për shkak të krizës ekonomike gjatë vitit 2009 është zvogëluar me një të pestën sasia e parave të transferuara prej punëtorëve në vendet e tjera. Por në vendet e Ballkanit pritet që fillimi zonës veriore të sjellë më shumë para’ prej këtyre burimeve.

Investim nga dashuria për atdheun - historia e Milorad Maticit

Fillimi i ngadalshëm shumë shpejt shndërrohet në një ngjitje të shpejtë. Avioni sportiv me ngjyra të flamurit të Serbisë ngrihet lart dhe pas disa minuta akrobacie në ajër ulet në tokë. Nga avioni në të cilin shkruan "Made in Serbia" zbret Milorad Matic. 37 vjeçari nuk është vetëm pilot por edhe pronar i avionit sportiv. Ai është pronar i një fabrike të tërë avionësh, të cilën e ka krijuar para tre vitesh në vendlindjen e tij në Kralevë, rreth 180 kilometra larg Beogradit.

Në fabrikën me emrin "Aero-East-Europe", ai ka 25 të punësuar. Kapitalin fillestar për këtë fabrikë, Milorad Matic e ka fituar me punën e tij në Gjermani ndërsa këtë punë e ka mësuar në Itali dhe Çeki. Para dy dekadash, Matic ka shkuar në perëndim, sepse ai me familjen nuk kishin as bukë për të ngrënë. Fillimisht ka punuar në ndërtimtarinë rrugore në Itali e më pas ka themeluar vetë një sipërmarrje ndërtimore në jug të Gjermanisë.

Ai ka fituar mjaft për të realizuar ëndrrën e tij që nga fëmijëria, fluturimin. Dhe më pas është kthyer në Serbi. Matic: „Kush jeton në botën e jashtme e ka më të zhvilluar ndjenjën patriotike. Kur është këtu, nuk i mungon vendi i tij. Por secilin që largohen e tërheq dicka në vendin e tij, e tërheq ndjenja patriotike.“ Milorad Matic thotë se këtu ka investuar nga dashuria për atdheun. Sa kohë që jetoi jashtë, ai ka mbështetur financiarisht familjen dhe shokët në atdhe, si edhe shumë serbë të tjerë që jetojnë në Itali, Gjermani, Austri apo në Zvicër.

Ndihma e emigrantëve - mbijetesë për familjet në vendlindje

Sa i ndihmon diaspora njerëzit që jetojnë në vendlindje? Milorad Matic e vlerëson ndihmën e ardhur nga jashtë si tepër të rëndësishme: "Njerëzit nga diaspora dërgojnë shumë para. Shumë familje pa këto ndihma nuk mund të mbijetojnë. Secili sjell këtu para ose përpiqet të ndërtojë vetë diçka".

Gjithandej në Serbi, Kosovë apo në Shqipëri mund të gjesh shtëpi të reja, të ndërtuara së fundi nga paratë e fituara në botën e jashtme. Marco Mantovaneli, shef i zyrës së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, me seli në Sarajevë shpjegon: „Ne nisemi nga fakti që sasia më e madhe e parave shkon tek familjet më të varfra, te ata që kanë më së shumti nevojë. Familjarët që punojnë në vendet tjera i mbështesin ata që kanë mbetur në vendlindje dhe marrin një rol shumë të rëndësishëm të një rrjeti të sigurimit social."

Shitësja e luleve Nermina thotë se janë të paktë ata të cilët në kohërat e krizës blejnë lule. Edhe atë e ndihmojnë kushërinjtë që në fillim të viteve 90 kanë ikur në Amerikë. „Ata dërgojnë disa herë në vit nga disa qindra dollarë. Më shumë nuk kanë sepse kanë marrë kredi për vete. Shpresoj se do të dërgojnë edhe më shumë, sepse ndryshe nuk mund të mbijetojmë. Nga shitja e luleve ndonjëherë nuk mbetet asgjë as për të ngrënë darkë.“

Të pakënaqurit - ndonjëherë të afërmit dërgojnë pak

Pak më larg është një shitës i perimeve. Ai i zemëruar thotë se kriza ekonomike i ka bërë vëllezërit dhe motrat e tij në Gjermani më kopracë.

“Ata dërgojnë pak. Thonë se ata i kanë punët më keq se ne këtu, sepse nuk kanë punë. Ndonjëherë na ndihmojnë, por befasohem kur dëgjoj se dikush i ka dërguar fqinjit tim më shumë para se familja ime mua. Ata i dërgojnë ndonjë herë nga 10 euro."

Banka Botërore: Reduktim i parave të emigrantëve për shkak të krizës

Të varfrit dhe të dobëtit janë ata të cilët preken të parët nga kriza, paralajmërojnë përfaqësuesit e Bankës Botërore. Sistemet sociale dhe ekonomike të shumë vendeve do të shkatërroheshin pa ndihmën e emigrantëve.

Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë tër adhurat e emigrantëve. Sasia e parave të dërguara prej emigrantëve në Bosnjë-Hercegovinë përbën 15 përqind të prodhimit bruto, që vitin e kaluar ishin rreth 2,5 miliardë dollarë amerikanë. Por është fakt që këto sasi kanë rënë në disa vende gjatë vitit 2009 me rreth 20 për qind. Në Bosnjë-Hercegovinë është dërguar gati gjysëm miliardi dollarë më pak se në vitin 2008.

Në Shqipëri ku shuma e ardhur e parave prej njerëzve që punojnë në vendet tjera është rreth 12 për qind e prodhimit bruto, në 2009 kanë mbërritur më pa,k rreth 200 milionë dollarë, ndërsa në Maqedoni mbështetja ka mbetur e njëjtë, rreth 400 milionë dollarë. As në Serbi kriza nuk e ka ndryshuar gjendjen. Megjithatë nga viti 2004, sipas vlerësimit të BB, në Serbi kanë hyrë prej emigrantëve në vendet e tjera rreth 30 miliardë dollarë.

Emigrantët që kthehen, përballen me probleme

Qeveria në Beograd do të donte që shtetasit e saj të investojnë jashtë vendit por edhe në vend. Por shumë prej tyre përballen me problemin e korrupsionit dhe ryshfetit. Milorad Matic këto ditë ka probleme me bankat. “Shumë duan të punojnë. Por sipërmarrjet falimentojnë për shkak të problemeve, sepse njerëzit i japin kursimet e tyre dhe më pas falimentojnë. Unë kam humbur këtu rreth një milionë euro. Këto para i kam fituar në botën e jashtme e kur jam kthyer në Serbi dikush i ka shpenzuar".

Emigrantët duhet të vendosin mes zemrës dhe arsyes. Vendet e Ballkanit kanë nevojë për mbështetje, por ata që kthehen nuk janë tepër të kënaqur, sikur edhe Milorad Matic. “Kam gabuar kur jam kthyer. Zemra më thotë ke bërë mirë sepse këtu janë gruaja, fëmijët, prindërit dhe e gjithë familja ime. Por financiarisht ka qenë gabim, sepse në një vend tjetër do ta kisha shumë më mirë". Aeroplanët nga fabrika e tij shiten në botën e jashtme. Miloradi është kthyer me aeroplanët e tij në vendlindjen e vet, por zbritja në tokë deri tani është treguar si shumë e vështirë.

Deutsche Welle

KOMENTE