English

Vizat në pasaportat e vjetra, të vlefshme kur paraqitet dhe ajo biometrike

Tiranë, 26 Korrik 2010 NOA – Pasaportat e vjetra, vlefshmëria ligjore e të cilave skadon përfundimisht në vitin 2011 dhe aktualisht, me skadencë të menjëhershme kur pajisesh me pasaportën e re biometrike, nëse kanë viza, këto të fundit nuk e humbin vlefshmërinë.

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka folur sot për mediat dhe tha se vizat në pasaportat e vjetra janë të vlefshme në kohëzgjatjen e tyre të plotë dhe kur pajisesh me pasaportën biometrike.

“Nëse një qytetar disponon vizë në pasaportën e vjetër, mund të kalojë kufirin duke paraqitur të dyja pasaportat, pra duke paraqitur pasaportën e re dhe vizën që ka marrë në pasaportën e vjetër”, sqaroi z.Poni.

Për shembull, nëse një qytetar ka marrë në ambasadën greke një vizë njëvjeçare në muajin janar të këtij viti dhe ndërkohë ka aplikuar në muajin maj për pasaportë biometrike, viza në pasaportën e vjetër nuk digjet dhe kësisoj nuk ka nevojë të kërkosh viza të re pasi ajo do të vlejë në çdo vendkalim kufitar.

Mjafton që qytetari të paraqesë në kufi pasaportën biometrike dhe bashkë me të pasaportën e vjetër ku ka vizën edhe pse kjo pasaportë është e pavlefshme që në momentin që është prodhuar pasaporta biometrike.

Kontrollori i doganës në kufi është i detyruar të lërë të hyjë dhe dalë lirisht çdo shtetas që procedon në këtë mënyrë.

Sipas deklaratës të bërë pak kohë më parë Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pasaportat e vjetra do të jenë të vlefshme deri në janar të vitit 2011.

Deri në këtë kohë qytetarët që kanë viza në pasaportën e vjetër mund ta përdorin atë për hyrje-dalje. Por në rast se një qytetar aplikon për pasaportën e re biometrike, atëherë automatikisht pasaporta e vjetër del jashtë funksionit, por jo viza që ka në të.

r.n/NOA

KOMENTE