English

Aksidenti i Gjegjanit, vdes 9-vjeçari që kurohej në Spitalin Ushtarak

Tiranë, 27 Korrik, NOA – Fëmija 9-vjeçar me emrin Erikson Peraj, i cili arriti të dilte i gjallë nga autobusi i vdekjes që rrëmbeu para pak ditësh jetën e 14 pasagjerëve të tij në aksin Fushë Arrëz-Kukës, ka ndërruar jetë në orët e vona të natës në mjediset e Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Lajmi konfirmohet prej mjekëve të këtij spitali, sipas të cilëve, gjithçka ka ndodhur për shkak të një hemorragjie të papritur në mushkëri.

Viktima është në fakt djali i cili para pak ditësh u tha se do të transportohej drejt Sanatoriumit, por duhet se gjendja e tij nuk ka qenë dhe aq e mirë, ndaj u preferua që ai të qëndronte në Spitalin Ushtarak.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se në aksidentin e rëndë të 10 ditëve më parë, Eriksoni humbi vëllain e tij, kurse nëna e tij iu plagos rëndë gjithashtu.

Nga ana tjetër, vajza e vogël e familjes Mustafa, e cila gjithashtu ka qenë e plagosur në aksident dhe që ndodhej së bashku me viktimën në Spitalin Ushtarak, raportohet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po shfaq shenja përmirësimi.

n.e/NOA

KOMENTE