Athinë, 27 korrik, NOA – Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i paraqiti sot letrat kredenciale presidentit të republikës së Greqisë, Karolos Papulias
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Papulias vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Greqisë dhe Shqipërisë si dhe lidhjet e forta historike mes dy popujve. Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke veçuar këtu kontributin mjaft të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Greqi si një urë lidhëse mes dy popujve tanë.
Presidenti Papulias siguroi, edhe një herë, se Greqia ka qenë dhe mbetet avokati më i mirë i Shqipërisë për integrimin e plotë në BE dhe liberalizimin e vizave dhe përcolli .
Duke përcjellë urimet më të mira për presidentin e Republikës dhe kryeministrin e Shqipërisë, presidenti Papulias shprehu dëshirën për të vizituar së shpejti Shqipërinë dhe për të parë nga afër ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në vend.
Nga ana e tij, ambasadori Dervishi, pasi e falënderoi presidentin Papulias për pritjen e përzemërt, shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke vlerësuar, në mënyrë të veçantë, kontributin personal të presidentit grek në forcimin e miqësisë mes dy popujve e dy vendeve tona mike.
Në fund, ambasadori Dervishi e siguroi presidentin Papulias se gjatë ushtrimit të mandatit të tij në Greqi do të japë kontributin maksimal në zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
n.e/NOA