Ajo çka e tërhoqi ishte era e një panineje e lyer me gjalpë kikirik. Për të bërë të tijin këtë ushqim të shijshëm, një ari hyri në brendësi të një makine në Denver, Colorado. Ai mbeti i bllokuar në autoveturë dhe ende nuk është sqaruar se në ç’mënyrë, por ai ka ngritur frenat e dorës duke vënë në lëvizje makinën dhe duke përfunduar i përplasur me pemët që ndodheshin prapa saj.
Incidenti kurioz ndodhi në qytetin e Larkspur. Kafsha arriti të futej në brendësi të automjetit të tipit Toyota, që ishte në pronësi të një djali 17-vjeçar, i cili e kishte parkuar makinën e tij para shtëpisë. Sipas tregimit të 17-vjeçarit, ariut i tërhoqi vëmendjen era e një sanduiçi me gjalpë kikirik që ishte në brendësi të makinës. Pasi është bllokuar në brendësi të saj në mënyrë të pashpjegueshme ka ngritur frenat e dorës dhe më pas është përplasur.
Policisë iu desh dy orë për të hapur makinën dhe për të liruar ariun, i cili kishte mbetur brenda saj.
r.b/NOA