Be E Shqetësuar Për Kundërshtimin Në Rritje Të Islandezëve Për Anëtarësimin
BRUKSEL, 27 korrik /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian filloi sot bisedimet me Islandën për anëtarësimin e vendit në BE, duke e ftuar Rejkjavikun të mobilizohet kundër rritjes së kundërshtimit të popullsisë dhe duke paralajmëruar se çështjet delikate si peshkimi duken të vështira.
"Jam i shqetësuar për mungesën e mbështetjes aktuale publike në Islandë për anëtarësimin në BE", deklaroi për shtypin komisioneri evropian për Zgjerimin Stefan Fule, në përfundim të një mbledhjeje në Bruksel që shënoi hapjen e bisedimeve.
"Kjo tregon se është e nevojshme të kemi një informacion më objektiv për Bashkimin Evropian dhe politikat që ai ndërmerr", shtoi ai, duke theksuar se bëhet fjalë "veçanërisht për një detyrë për qeverinë islandeze". Fule parashikon të shkojë vetë në Islandë në muajin shtator.
Vendimi për anëtarësimin duhet të jetë i bazuar në fakte dhe shifra dhe jo në mite dhe frikëra", shtoi ai.
Hapja e bisedimeve të anëtarësimit ndodh pikërisht një vit pas marrjes nga Islanda të statusit të vendit kandidat më 16 korrik të vitit 2009, në kuadrin e një krize financiare që i goditi rëndë bankat e saj dhe e bëri opinionin të kërkojë mbështetjen e euros.
Që prej atëherë, entuziazmi i popullsisë ka rënë ndjeshëm, deri sa sondazhet e fundit treguan se shumica shprehet kundër anëtarësimit. Por, në fund të procesit, Islanda duhet të vendosë me referendum.
/I.Pu.