Uashington, 27 Korrik, NOA – Kompania britanike naftë-nxjerrëse “British Petrolium”, ka shkarkuar zyrtarisht shefin ekzekutiv të saj, Toni Heiuard, si pasojë e skandalit të derdhjes së pakontrolluar të naftës në Gjirin e Meksikës gjatë javëve të fundit.
Lajmi është bërë me dijeni nga drejtuesit e kësaj kompanie, sipas të cilëve, më 1 tetor Heiuard do të zëvendësohet në detyrë nga Bob Dudlei, i cili aktualisht po drejton operacionet e pastrimit të Gjirit të Meksikës nga rrjedhja e naftës.
Sulmi ndaj Heiuard është bërë pasi në kulmin e skandalit të derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, ai është mbrojtur me deklarata kundërthënëse.
Ndërkaq, zëvendësuesi Dudley konsiderohet si shefi ideal për “British Petrolium” sepse është i rrahur me kriza dhe është amerikan.
Ndërsa Toni Heiuard, ndryshe nga ai, është përballur me shumë kritika për menaxhimin e krizës dhe për katastrofën e derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës.
Imazhi i menaxherit të suksesshëm duket se u rrëzua para syve të tij, ndërsa katastrofa e naftës në det u përhap në gjithë botën, duke mos lënë një shije aspak të mirë.
E përveç kësaj, duke i shkaktuar humbje kolosale kompanisë britanike naftë-nxjerrëse “British Petrolium” për kompensimin e banorëve të dëmtuar.
n.e/NOA