English

Ekskluzive/ Fati i paqartë i rezolutave për Kosovën

Agjencia e Lajmeve NOA mëson prapaskenat e lobimit të fortë nga të gjitha anët

Tiranë, 27 korrik, NOA – Një betejë e fortë është duke u zhvilluar rreth rezolutave për Kosovën dhe për lobim të fortë nga të gjitha anët pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen si të ligjshme të pavarësisë së saj, pa rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare.

Një fakt të tillë e konfirmojnë burime të besueshme të agjencisë së Lajmeve NOA, të cilat tregojnë sesi nga njëra anë, Serbia loboi fort përpara marrjes së vendimit nga GJND-ja që të kalonte një rezolutë gjoja të moderuar për të fituar shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk pranonte kërkesat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për t’u tërhequr.

Ndërkohë, që sipas shtypit serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, ishin përgatitur për të dalë edhe ata me një rezolutë paralele për të mbështetur Kosovën, me qëllim që përpjekjet serbe të dështonin.

Por sot, gazeta “BLIC” në Beograd, një grup mediatik ky afër qeverisë serbe, duke folur për dështimin e Serbisë në GJND, vë në dukje se çdo përpjekje e saj pranë Asamblesë së OKB-së do të dështonte përsëri, për shkak se nuk ka shumë shanse që Asambleja të prononcohet kundër vendimit të GJND-së.

Më tej, gazeta “BLIC” shprehet se Beogradi dëshiron që negociatat të shtyhen deri në momentin e debatit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB dhe që Bashkimi Evropian të mos insistojë për të kundërtën.

Mësohet gjithashtu nga burime konfidenciale, se gjatë gjithë kësaj kohe manovrash diplomatike në prapaskenë, misionet shqiptare, amerikane dhe britanike në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë qenë në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për këtë qëllim.

Sikundër, bëhet me dije se edhe vizitat e fundit të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta në Kazakistan dhe Afganistan përpara vendimit të GJND-së, kanë synuar për të bindur një nga vendet e fuqishme të Konferencës Islamike, i cili ende nuk e ka njohur Kosovën, që të ishte vend sponsor i një rezolute e cila do të mbështetej nga SHBA, Shqipëria, Britania dhe vendet e tjera nga lista e 69 shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Pikërisht, këto të fundit do të luanin rolin e bashkë-sponsorit.

Qëllimi final i lëvizjes së fundit do të ishte që të fitohej mbështetja e rreth 40 vendeve të Konferencës Islamike që s’e kanë njohur ende Kosovën, gjë që do të përmbyste raportet.

Ndërkohë, po të njëjtat burime, thonë se vetëm një javë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ambasadori shqiptar i OKB-së në Nju Jork, Ferit Hoxha, është vënë re në korridoret e Tiranës zyrtare, ku bëhet fjalë se ka zhvilluar konsultime diskrete për këtë çështje.

n.e/NOA

KOMENTE