English

Fier, tre muaj nga vjedhja e argjendarisë, identifikohet dhe arrestohet autori

Fier, 27 korrik, NOA – Pas tre muajsh hetimesh policia e Fierit identifikon dhe vë në pranga në bashkëpunim me policinë e Tiranës, autorin e disa vjedhjeve në Fier e Tiranë.

Sipas policisë së Fierit dje u arrestua 25 vjeçari Ahmet Bellau, i lindur në Përmet dhe banues në Tiranë.

Policia e Fierit njofton se Bellau ishte një nga personat e paidentifikuar, që kishin vjedhur argjendarinë e shtetasit I.K, në lagjen “konferenca e Pezës” në Fier në 12 maj të këtij viti.

Pas ngjarjes policia ka punuar prej tre muajsh intensivisht për identifikimin e autorëve të vjedhjes, në bashkëpunim edhe me policinë e Tiranës, pasi autori ishte banues në Tiranë.

I padënuar më parë, Ahmet Bellau dyshohet që në bashkëpunim me të tjerë ka kryer edhe disa vjedhje në Tiranë.

Policia e qarkut të Fierit po punon për dokumentimin e plotë të vjedhjes së argjendarisë në Fier, për të cilën ndiqet tashmë penalisht edhe një nga autorët e saj, 25 vjeçari Ahmet Bellau.

Ndërsa policia po heton edhe për gjetjen e personave të tjerë të cilët mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarin në kryerjen e vjedhjeve.

mit/NOA
KOMENTE