Fule: Ke Nuk Ndryshon Rekomandimin Pozitiv Për Maqedoninë Për Negociatat Për Anëtarësim Në Be
BRUKSEL, 27 korrik /ATSH-MIA/ - Komisioni Evropian nuk e ndryshon rekomandimin pozitiv nga viti i kaluar për fillimin e negociatave për hyrjen e Maqedonisë në BE, deklaroi sot Stefan Fule, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, pas takimit të shtatë të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim (KSA) të Republikës së Maqedonisë me BE-në.
"Shqyrtuam nëse reformat janë ngadalësuar ose jo dhe vërtetuam se ka momentum të ri në reformat", tha Fule në një konferencë për shtyp.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Antonio Miloshoski tha se vendi do të vazhdojë reformat në administratë, drejtësi, ekonomi dhe luftën kundër korrupsionit.
Shefi i diplomacisë theksoi se Maqedonia do ta vazhdojë partneritetin me KE-në për fillimin e negociatave hyrëse me BE-në.
Ai shprehu kënaqësinë që homologu i tij belg konfirmoi se Belgjika, si kryesuese e BE-së, tregon interes për Maqedoninë.
"Ishte e këndshme të dëgjohej nga Fulja se ai është i bindur se fryma dhe momentumi reformues po mbahet në nivel të kënaqshëm dhe se reformat duhet të vazhdojnë", deklaroi Miloshoski./
a.jor.