Jeta E E Keputur E 9 Vjeçarit
TIRANË, 27 Korrik /ATSH-M. Shkurta/.-Ka qenë ora 21.30 e mbrëmjes së të hënës kur pas një hemoragjie të papritur, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak 9 vjeçari Erikson Peraj, i cili u plagos rëndë në aksidentin tragjik të 17 korrikut në Fushë Arrëz, kur një autobus me pasagjerë u përmbys në humnerë.
Pas nëntë ditësh trajtimi intensiv në spital, 9 vjeçari nuk ka mundur të shpëtojë, duke u bërë kështu viktima e 15-të e aksidentit tragjik.
Nga momenti i mbërritjes në Spitalin Ushtarak, gjendja e djalit 9 vjeçar ka qenë tejet e rënduar dhe kritike për jetën. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, brenda natës nga një ekip i specializuar të cilët kanë asistuar përgjatë gjithë natës, tregon në një intervistë për ATSH-në, Dr. Sami Koçeku, zvdrejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës.
"Ekipi mjekësor, me të gjitha mundësitë është përkushtuar për ta rikthyer atë në jetë. Por mjekësia nuk është një shkencë ekzakte, si shkenca të tjera. Ndërsa në shkencën e matematikës çdo veprim kryehet me llogarit, e kundërta ndodh në mjekësi, thotë dr.Koçeku".
Gjatë qëndrimit në spital, djali ka patur luhatje në shëndetin e tij .
Vetëm para tre ditësh, djali i vogël ka dhënë shenjat përfundimtare se shanset për të shpëtuar ishin gati të papërfillëshme, pavarësisht se asistenca mjekësore ka qenë e lartë nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ana mjekësore.
Efektet e shkaktuara nga trauma tek Eriksoni, ishin shumë të mëdha. Pulmoni i majtë i mushkërisë së djalit ishte i copëtuar dhe thuajse i kishte dalë jashtë funksionit.
Ekipi i specializuar i mjekëve që asistuan në operimin e tij bëri të pamundurën për të realizuar qepjen . Por mushkëria si një organ që merr dhe nxjerr ajër, dhe kjo pavarësisht operacionit dhe kujdesit nuk solli përmirësim të saj duke rrezikuar edhe organe të tjera..
Gjendja e të plagosurve të tjerë
Por shpresëdhënëse duket gjëndja shëndetësore Rajsa Mustafës fëmijës tjetër, të plagosur në aksidentin e Fushë-Arrëzit, e cila ndodhet në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak.
Ndonëse në ditën e parë të mbërritjes në spital, për shkak të traumave dhe gjendjes së komës, gjendja shëndetësore e vajzës të familjes Mustafa, ishtë më e rënduar se e djalit të vogël që ndërroi jetë.
Dr. Koçeku thotë së se "prej katër ditësh, Rajsës së vogël i është hequr aparati i oksigjenit. Ai nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të gjendjes së mëparëshme të rënduar, por ttha se "shanset e përkeqësimit të gjendje shëndetësore të saj janë të pakta" dhe se "mund të themi se vajza e vogël e familjes Mustafa është jashtë rrezikut për jetën".
Të plagosurit në Spitalin Ushtarak
Në Spitalin Ushtarak të Tiranës, u transportuan 13 të plagosur, dy prej të cilëve humbën jetën gjatë rrugës për në spital, ndërkohë që pas mbërritjes në spital, humbi jetën dhe drejtuesi i autobuzit.
Nga dhjetë të plagosurit e tjerë,më e rëndë paraqitej gjendja e dy fëmijëve të vegjël, ajo e Eriksonit 9 vjeçari, dhe vajzës 12 vjeçare, Raisa Mustafa.
Gjëndja e të plagosurve të tjerë po vjen drejt normalitetit. Dr. Koceku sqaron se një pjesë e tyre ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të gjymtyrëve, në gjoks, dëmtime në kokë dhe në fytyrë, në dy raste më të lehta, që aktualisht, po i nënshtrohen terapive intensive.
Drejtuesi i këtij institucioni. Dr. Bedri Mihaj tha për ATSH-në se, në ditën e aksidentit, në më pak se 15 minuta, në Spitalin Ushtarak ndodhej gjithë ekipi mjekësor. Ky spital, me gjithë ndihmën e kërkuar në rastet e emergjencave të mëdha, kur tejkalohen kapacitetet, disponon të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Pavarësisht situatave të tilla, Dr. Mihaj thotë se ekipi mjekësor i specializuar i spitalit, ka mundur të përballojë të gjitha flukset si ditore, ashtu edhe rastet e emergjencave.
Në përballimin e kësaj situate, u angazhua personeli mjekësor prej 110 vetësh, duke përfshirë të gjitha shërbimet. Me gjithë angazhimin dhe disponimin e të afërmve të të aksidentuarve, Qendra e Gjakut në këtë spital kishte të gjithë kapacitetin e nevojshëm për rastet e nevojshme për dhënien e gjakut për të plagosurit
Në ditën e aksidentit, me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, u ngrit shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat Renea, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zones. Po ashtu u dërguan dhe forca të tjera shtesë të drejtorive të policive të qarqeve Shkodër dhe Lezhë.
Për transportimin e të dëmtuarave, u vunë në dispozicion 6 helikopterë nga Policia e Shtetit, ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes.
Aksidenti
Aksidenti tragjik, ku humbën jetën 15 persona dhe mbetën të plagosur 11 të tjerë, ndodhi në orën 17.00 të ditës së shtunë, më 17 korrik në fshatin Dom të komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, në veriperëndim të vendit, kur një autobus i linjës Fushë Arrëz- Durrës, doli nga rruga dhe u rrëzua nga një lartësi 30-40 metra, pranë lumit Fan.
Të plagosurve rëndë u erdhën në ndihmë drejtuesit e automjeteve që kanë qenë duke përshkruar këtë aks rrugor, ndërkohë që është bërë menjëherë njoftimi i policisë.
Nga të gjitha qytetet u nisën forca të shumta policore, ndërkohë që Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë vunë në dispozicion helikopterë, për të transportuar të mibijetuarit.
Shkaku i aksidentit
Sipas policisë autobusi me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë PU 13-30 A, drejtohej nga Zef Mark Gjergji, 45 vjeç nga fshati Gojan, komuna Gjegjan i rrethit të Pukës. "Drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji, ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe kishte një përvojë shumëvjeçare si shofer, por në kohën e udhëtimit kushtet e motit u përkeqësuan", thanë burimet zyrtare të policisë.
Nga ekspertimi auto-teknik i autobuzit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara dhe lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, ndërsa sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht.
Nga burimet policore mësohet gjithashtu se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit dhe se kishte një përvojë disavjeçare në drejtim, fakt i cili konfirmohet edhe nga plagosurit e aksidentit që janë shprehur se drejtuesi i mjetit ishte person i rregullt.
Hetimet paraprake kanë treguar se edhe gjendja e rrugëve ishte e rregullt dhe nga dëshmitë e të plagosurve në momentin e aksidentit nuk ka pasur makina të tjera që lëviznin në rrugë.
Po ashtu, nga raporti i mjekësisë ligjore nuk rezulton që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit, bëjnë të ditur burime zyrtare nga policia.
Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë i kryesuar nga prokurori i rrethit Pukë, pas hetimit të të gjitha pistave ka arritur në përfundimin se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij Zef Frroku (Gjergji)./f.n/