Kinë - Përkeqësohet Ndotja Në Qytetet Kryesore
ROMË, 27 korrik /ATSH-ANSA/ - Cilësia e ajrit në qytetet kryesore të Kinës është përkeqësuar gjatë këtij viti për herë të parë që prej vitit 2005, sipas një raporti të Ministrisë të Mbrojtjes Ambientale, cituar nga e përditshmja "China Daily". Në raport thuhet se "ditët me ajër të pastër" në 113 qytetet më të mëdha të vendit janë reduktuar me 0.3 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Tre faktorë, sipas Ministrisë, janë baza e përkeqësimit: stuhitë e rërës që nga shkretëtirat e Gobi dhe Taklamakan përfshijnë një pjesë të madhe të Kinës veriore; rritja e ndërtimeve dhe projekteve industriale për shkak të rimëkëmbjes ekonomike; dhe numri gjithmonë e në rritje i automjeteve në qarkullim.
Ministria pohon më tej se një e katërta e sipërfaqes totale të ujit në vend është e ndotur dhe mund të përdoret vetëm për ujitje dhe qëllime industriale.
"Të gjitha këto të dhëna nënkuptojnë se Kina është ende përballë një situate të rëndë në luftën kundër ndotjes", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë, Tao Detian.
/e.v/