Kolonel Hoxha: Brenda 2010-Ës, Ushtria Shqiptare, Tërësish Profesioniste
-Flet per ATSH-ne, Kolonel Bardhyl Hoxha, shefi i Qendres se Personel Rekrutimit-
TIRANË, 27 Korrik/ATSH/ - Ushtari profesionist nuk është më thjesht një ide në letër. Sot, ai përbën boshtin kryesor të Forcave te Armatosura Shqiptare, duke shërbyer gjerësisht në forcat detare, këmbësore, ajrore, strukturat logjistike etj.
Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, kolonel Bardhyl Hoxha, Shefi i Qendrës së Personel Rekrutimit (QPR) në Tiranë u shpreh se, brenda vitit 2010, Ushtria Shqiptare do të jetë tërësisht një ushtri profesioniste, duke përmbushur një nga reformat më të mëdha në Ushtrinë tonë për t'a përshtatur atë me standartet e NATO-s.
Sipas tij, reforma u konkretizua që në vitin 2008, kur qeveria vendosi kalimin në ushtri profesioniste, duke eliminuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Reforma i hapi rrugë procesit për rekrutimin e ushtarëve profesionistë, i cili ka ecur me ritme të larta dhe tashmë ka filluar të japë frytet e para në rritjen e cilësisë së forcave ushtarake.
Kolonel Hoxha, duke dëshmuar për një shkallë të lartë të interesimit të të rinjve dhe të rejave për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura, deklaroi se, "vetëm në një viti kemi pasur mbi 1000 kërkesa nga kandidatë për Ushtar Profesionist, nga të cilët mbi 500 kanë fituar të drejtën për të qenë të tillë, mbasi përfunduan me sukses testimet përkatëse në Qendrën e Personel Rekrutimit". Ndërkohë që interesim të lartë për këtë shërbim kanë shfaqur dhe femrat, numri i të cilave, sipas kolonelit Hoxha, llogaritet në 12% në raport me atë të meshkujve.
Duke e konsideruar procesin si tepër transparent dhe të besueshëm Hoxha tha se ai është i shtrirë në të gjithë vendin dhe pjesë e tij janë dhe autoritet lokale, qëndrat arsimore etj, të cilat ndihmojnë autoritet ushtarake me informacione për rekrutët e rinj, në funksion të përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë.
Meqënëse është një shërbim i ri, autoritet e Ushtrisë i kanë kushtuar rëndësi edhe fushatës informuese dhe sensibilizuese, duke shpërndarë broshura, e përgatitur spote publicitare televizive.
"Procesi është shoqëruar me një fushatë të mirë sensibilzuese, tha Hoxha.
Duke vënë në dukje politikën për afrimin e kanditatëve më të mirë, Koloneli Hoxha bëri të ditur se, aktualisht mbi 20 % e rekruteve kanë arsim të lartë.
Shefi i Qendrër së Personel Rekrutimit, Bardhyl Hoxha, duke folur për reformën në këtë fushë, tha se krijimi i Ushtrise Profesioniste, lindi si domosdoshmëri për përafrimin saj me standartet e NATO-s.
Shëbimi si ushtar profesionist ka eleminuar thuajse plotësisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak që ekzistonte më parë, nga i cili kanë mbetur jo më shumë se 300 ushtarë dhe që me mbarimin e këtij detyrimi, kontigjenti i ushtrisë mbetet terësish profesionist.
-Ushtari Profesionist-
Shërbimi i Ushtarit Profesionist, është një shërbim që paguhet nga shteti. Të drejten për të kandiduar si ushtar profesionistë e kanë të gjithë personat me moshë nga 19 deri në 30 vjeç. Çdo individ i interesuar për t'u bërë pjesë e FA duhet fillimisht që t'i drejtohet Qëndrave Rajonale të Rekrutimit ne Qarqe për të paraqitur dokumentacionin përkatës për gjeneralitet, nivelin arsimor etj, dhe më pas t'i nënshtrohet një testi per aftesitë intelektuale dhe ato fizike, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes pranë Qëndrës së Personel Rekrutimit. Testimi drejtohet nga specialistët më të mirë të fushës që vendosin se, cili individ plotëson kushtet për të qenë Ushtar Profesionist.
Të gjithë kandidatët, pasi fitojnë të drejtën për tu bërë Ushtarë Profesionist, u nënshtrohen kualifikimeve të specializuara, kurseve profesionale, duke patur mundësinë e bërjes së karrierës në Forcat e Armatosura, si dhe mund të mbarojnë kursin e nënoficerit. Pagesa mojore e një ushtari profesionist, llogaritet ne 300 mijë lekë (të vjetra), ndërsa parashikohet rritja e saj më tej. Kontrata e tij e punës fillimisht është tre vjeçare, me të drejtë rinovimi. ushtari profesionist mund të shërbejë kudo sipas nevojave të Ushtrisë Shqiptare. Madje ai mund të shërbejë edhe në misionet paqeruajtëse, jashtë shtetit. Numri i ushtarëve profesionistë në rang vendi llogaritet në rreth 3000 vetë, dhe në fund të 2010, mund të shkojë në 3800.
Duke u shprehur entuziast per këtë reformë, Shefi i Qendres se Personel Rekrutimit, Bardhyl Hoxha, tha se, "para një jave u kthye një mison i yni nga Çadi dhe konstatova që, një pjesë e mirë e tyre ishin Ushtarë Profesionist. Pamë produketet e punës sonë".
-USHTRIA, NGA NJE SHËRBIM ME DETYRIM NË SHËRBIM ME PAGESË-
Shqipëria ka një traditë të pasur ushtarake, që i ka fillimet që në kohët antike. Por atributet e një ushtrie të vërtetë i mori në 4 Dhjetor 1912, 6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kur u krijua Ushtria Kombëtare.
Për herë të parë në historinë shekullore, u krijuan Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës), e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm, drejtuar nga Major Ali Shefqet Shkupi. Strukturat kryesore përbërëse të ushtrisë shqiptare ishin forcat aktive, rezervë, vullnetare dhe Xhandarmëria me 12.000 veta si personel gjithsej.
Pas Luftës së Dytë Botërore, 1944, bashkë me forcat territoriale, ushtria arriti numrin prej 70.000 vetë, shifër kjo që përfaqësonte 7% të popullsisë të Shqipërisë në atë kohë. Fillimisht në vitin 1945 të gjithë shtetasit meshkuj që mbushnin moshën për të kryer këtë shërbim, ishin të detyruar ta kryenin për 4 vjet radhazi. Më 9 korrik 1945 mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i ushtarakëve u reduktua në 40.000 vetë. Në muajin dhjetor u ul në 35.000, ndërsa në 1948 numri ra në 27.000 ushtarakë aktiv. Situata ndryshoi pak vite më vonë, ku nga shërbimi ushtarak u ul në 3 vjet. Në viti 1965 shërbimi i detyrueshëm ushtarak u ul në 27 muaj, por ky rregull nuk vlente për zonat kufitare, ku shërbimi ushtarak vazhdonte për 3 vjet.
Ai ndryshoi sërish, duke u ulur në 24 muaj. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70-80', Forcat e Armatosura pësuan një rritje të madhe numerike duke arritur në 61.000 forca aktive, 260.000 rezervistë dhe një numër të madh të Forcave Vullnetare. Në fillim të viteve 1980 u bënë ndryshime të tjera, duke e ulur shërbimin ushtarak në 1,5 vjet.
Pas viteve 90-të, shërbimi ushtarak u reduktua edhe më shumë. Në vitin 1994 ai u përcaktua të jetë vetëm 15 muaj. Pak vite më pas, ky shërbim u bë 12 muaj me lehtësira të mëdha për studentët që fitonin shkollën e lartë. Me renien e regjimit komunist, Shqiperia nisi rrugetimin drejt anetarësimit në NATO-s. Në vitin 2008, qeveria vendosi kalimin në ushtri profesioniste dhe eliminimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në vitin 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe tashmë synohet arritja e standarteve të një ushtrie tërësisht profesioniste, numri i të cilës do të jetë 3800 ushtarë profesionitë, ku 12% të të cilit do ta zënë femrat.
Përgatiten Suada Daci, Andi Myrte. /ch/