Tiranë, 27 Korrik, NOA – Kryetari i shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Faruk Borova, priti në një takim kortezial në Tiranë, konsullin e Torinos, dr. Giovanni Firera.
Në këtë takim, Borova i bëri me dijeni atij se kjo shoqatë është e iniciuar nga një grup intelektualësh dibrane të cilët jetojnë në Tiranë dhe ka karakter kulturor dhe patriotik.
“Qëllimi dhe motivet e kësaj shoqata janë shpirti dhe zemra tek të parët tanë, si dhe tek qyteti i Dibrës së Madhe. Eshtë detyrë e secilit prej nesh që të ndihet krenar, dhe i motivuar për vendlindjen e tij, e të japë qoftë dhe një kontribut modest për zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të saj”, u shpreh Borova lidhur me një fakt të tillë.
Ndërsa konsulli Firera, shprehu dëshirën dhe vullnetin e tij të plotë për të bashkëpunuar seriozisht me shoqatën Bashkësia Dibrane.
“Ju keni një margaritar tepër të çmuar, që Zoti e ka pajisur me të gjitha cilësitë natyrore. Do ta kthejmë Dibrën dhe zonat e saj përreth në një rajon të fuqishëm ekonomik dhe imprenditorial”, ka thënë Firera në këtë takim.
Pjesa e verilindjes së Shqipërisë, e sidomos Dibra, ka nevojë për investime konkrete dhe hapje të vendeve të reja pune dhe lidhur me këtë, konsulli Firera, mori përsipër lobimin e tij, duke u lidhur me sipërmarrës torinezë dhe piemontezë, të cilët të bëjnë të mundur thithjen e investimeve konkrete për zonën e Dibrës.
Firera, theksoi më tej se në rajonin e Piemontes, ekziston një komunitet shqiptar por dhe dibranë të cilët me punën e tyre të ndershme janë bërë sipërmarrës dhe bizmesmenë të suksesshëm, të cilët kanë aftësi të investojnë për projektet shqiptare.
Më tej, kryetari Borova e njohu Konsullin e Torinos edhe me investimet konkrete nga ana e qeverisë Shqiptare.
“Kështu, - theksoi ai, - një fond i tërë nëpërmjet ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, është vënë në dispozicion nga ana e qeverisë, për ndërtimin e një vepre kolosale për kombin tonë, “Rrugën e Arbërit”. Me realizimin e kësaj rruge kombëtare Tirana afrohet më shumë se kurrë me Dibrën e Madhe dhe me trevat e tjera shqipfolëse të Maqedonisë”.
Nga ana tjetër, ai theksoi në këtë diskutim se ndërtimi me procedura të përshpejtuara i “Rrugës së Arbrit”, do të potencojë dhe projekte mjaft ambicioze dhe në kuadrin universitar dhe kulturor, duke ditur faktin se banorët e këtyre zonave janë njerëz arsim-dashës dhe tepër të motivuar për dije dhe kulturë shkencore.
“Herën tjetër do të kthehem në Shqipëri, - theksoi konsulli Firera, - me sipërmarrës industrialë, të cilët shfaqin interes të vërtetë për këtë zone”.
Takimi u mbyll me shtrëngimin e duarve mes kryetarit të Shoqatës dhe konsullit të Torinos, si dhe duke vendosur dimensione të reja bashkëpunuese.
n.e/NOA