Kosove: Studente Kosovare Ne Universitetet Evropiane Me Bursa Te Be-Se
ë
PRISHTINË, 27 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Janë 42 studentë të diplomuar kosovarë që do të vazhdojnë studimet post-diplomes në universitetet e përzgjedhura të Bashkimit Evropian me bursa të Skemës së Celulës së të Rinjve të financuar nga BE-ja, duke filluar nga tetori.
Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe Ministria e Integrimeve Evropiane prezantuan sot brezin e shtatë të përfituesve kosovarë të bursave të Skemës së Celulës së të Rinjve, e cila është realizuar me sukses që prej krijimit të saj në 2004.
Deri tani janë dhënë 177 bursa, bënë të ditur burimet e Zyrës.
"Komisioni Evropian është i përkushtuar ta vazhdojë përkrahjen e tij për profesionistë të rinj, që do ta thellojnë dijen e tyre në legjislacionin evropian dhe çështjet e BE-së në universitete të ndryshme evropiane dhe me t'u kthyer, do ta ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE", tha Khaldoun Sinno, i ngarkuar me detyrë në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së.
Përfituesit e bursës së Skemës së Celulës së të Rinjve për 2010 do të trajnohen në tema në sektorë specifike, sikurse është e Drejta e BE-së, ekonomia, energjia dhe ambienti, veterinaria dhe siguria e ushqimit, si dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore.
Në përpjekjet për ta ndihmuar administratën e Kosovës që të përafrohet me standardet evropiane, programi i bursave veçon kurse post-diplomike në përputhje me nevojat e tanishme të qeverisë. /a.ke/