English

Kriza - Greqi - Vazhdon Protesta E Kamionistëve

ATHINË, 27 korrik /ATSH-ANSA/ - Në Greqi vazhdojnë problemet me trafikun rrugor për shkak të grevës së pronarëve të kamionëve dhe autocisternave të cilët kanë dalë nëpër sheshe për të protestuar kundër një projektligji të qeverisë që rregullon liberalizimin e transporteve tregtare, ndërsa qeveria nga ana e saj është deklaruar e vendosur për mos t'i bërë asnjë ndryshim, por njëkohësisht duke i mbajtur hapur dyert e dialogut. "Nuk ka alternativa për këtë projektligj", deklaroi dje ministri i Transporteve, Dimitris Reppas. "Çdo ndryshim i vendimeve tashmë të marra mund ta përkeqësojnë situatën", theksoi ministri. Megjithatë, nga fronti i grevës ndihet një shpresë e vogël pas takimit ndërmjet nënsekretarit të Transporteve, Nikos Sifunakis, me përfaqësuesit e grevistëve. Ndërkohë kontrollorët e fluturimeve kanë vendosur ta anulojnë grevën 24 orëshe që ishte parashikuar për të shtunën, ndërsa nesër do të ketë një takim ndërmjet palëve për të diskutuar disa pika të projektligjit. Pas këtyre zhvillimeve shpresohet për një neutralizim të situatës në këtë sektor. /e.v/
KOMENTE