Tiranë, 27 Korrik, NOA – Pas një sërë takimesh të zhvilluara së bashku muajt e fundit, në kuadrin e diskutimeve mbi krizën politike që ka përfshirë vendin prej një viti, presidenti i Republikës parashikohet të zhvillojë sërish një të tillë me ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers.
Lajmi i bërë paraprakisht me dije nga burime presidenciale për agjencinë e Lajmeve NOA, pohon se takimi është parashikuar të zhvillohet në orën 11:00 në mjediset e Presidencës dhe pritet që gjatë tij, kreu i shtetit Bamir Topi dhe ambasadori amerikan të bisedojnë për situatën aktuale politike.
Ndërkaq, në takimin e fundit që kanë zhvilluar së bashku, përkatësisht në datën 2 qershor, Presidenca sqaroi se dy personalitetet kanë diskutuar, përveç situatës politike dhe për çështjet e gjyqësorit.
Gjë që nënkupton se diplomati amerikan dhe kreu i shtetit janë ndalur dhe në rrëzimin e kandidaturave nga Kuvendi për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, të të dekretuarve të presidentit.
Për këtë çështje ambasadori amerikan ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj mazhorancës dhe asaj që u vlerësua si votim politik.
“Biseda mes kreut të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatik të aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe çështjeve të gjyqësorit shqiptar për sa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër”, komunikoi Presidenca atëherë.
Ndërsa këtë radhë, pritet që të merret në shqyrtim ndoshta edhe çështja e mendimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror.
n.e/NOA