English

Mash: Formulari A2, Afati Më 2 Gusht

TIRANE, 27 Korrik /ATSH/-Kandidatët për student kanë edhe rreth një javë kohë për plotësimin e formularit A2, që shërben për përzgjedhjen e degëve ku ata do të studiojnë. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës afati i fundit i dorëzimit të këtij formulari është data 2 gusht. Procedura e aplikimit për të drejta studimi është e njëjtë me atë të vitit të shkuar. Maturantët do të duhet të përzgjedhin, dhjetë preferenca në formularin A2, ku janë të listuara më shumë se 225 programet që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik. Specialistët theksojne se duhet treguar kujdes i veçantë gjatë renditjes së degëve për fakultetet. Kandidatët që do të respektojnë profilin e shkollës së mesme në përcaktimin e degëve mund të grumbullojnë më shumë pikë, sesa po të listojnë degë të profilit të kundërt. Sipas rregullores së provimit, përcaktohet se mundësia për të mbledhur më shumë pikë krijohet jo vetëm nga zgjedhja e programeve të afërta të studimit, por dhe nga lloji i koeficientit. Në këtë mënyrë, nëse maturantët do të zgjedhin programet e përafërta për të vijuar studimet e larta, atëherë dhe koeficientët që do të hyjnë në përllogaritje do të jenë më të lartë, çka rrjedhimisht sjell më shumë pikë në dispozicion të kandidatit. Nxënësi që ka mbaruar profilin shoqëror dhe zgjedh degë të po këtij profili, do të ketë koeficient më të lartë në përllogaritje, sesa po të zgjidhte si programe studimi ato të profilit natyror. Renditja e fituesve edhe për vitin e ardhshëm akademik do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2), ku Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje dhe secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë duke njohur vlerësimet e veta (parashikimet), pra duke vetëvlerësuar veten. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në institucionet e arsimit të lartë publik. Ndërsa renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit që kanë si kusht edhe konkursin e veçantë, si Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve, renditja e fituesve do të bëhet me një tjetër formulë. Në këto raste merren parasysh edhe pikët e konkursit./e.gj/f.n/
KOMENTE