English

Mediu, për ruajtjen e mjedisit: Ja aktet me të cilat do të administrojmë mbetjet urbane në vend

Tiranë, 27 korrik, NOA – Duke iu referuar reformave për legjislacionin mjedisor, dhe ligjet e reja, ku mbështeten politikat kryesore të ministrisë së Mjedisit, pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në lidhje me ruajtjen e mjedisit, cilësisë së ajrit, ujërave, burimeve natyrore, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka prezantuar sot përmbajtjen e tre projekt-vendimeve të Këshillit të Ministrave, sa i përket amballazheve dhe mbetjeve të tyre; mbi bateritë dhe akumulatorët si dhe mbi mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike, për të cilat duhen ndërmarrë aksione ligjore me qëllim që të mos cënojnë pastërtinë e Mjedisit.

Ministri Mediu në këtë takim prezantues theksoi nevojën e një kuadri ligjor bashkëkohor në trajtimin mjedisor të mbetjeve urbane.

“Në vendin tonë po duken qartë problemet mjedisore të pajisjeve elektrike dhe elektronike, ndaj për këtë dua të theksoj se jemi pikërisht në kohë, që të hartojmë një kuadër ligjor bashkëkohor për trajtimin mjedisor të tyre dhe në përputhje me standardet evropiane”, nënvizoi ministri i MPAU.

Për këtë kuadër ministri Mediu ka kërkuar edhe mbështetjen e grupeve të interesit, mendimin e ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Aktet e prezantuara dhe të përgatitura me asistencën e IFC, janë pjesë e akteve nënligjore të ligjit për mbetjet dhe pergatitja e tyre bën të mundur që implementimi i ligjit me miratimin e tij të behet i plotë dhe efiçent.

Sa i përket ambalazheve dhe mbetjeve të tyre, për ministrin Mediu mbeten një ndër problemet më të mprehta mjedisore, dhe aktualisht shqetësim përbëjnë ambalazhet plastike.

Ministri Mediu ngriti shqetësimin e pastrimit të mbetjeve plastike pasi sipas tij, të cilat pas përdorimit shpërndahen gjithandej dhe i gjen kështu në një pjesë të mirë të territorit, duke sjellë përveç problemeve mjedisore edhe shëmtimin e ndjeshëm të peisazhit dhe të estetikës qytetare.

“Miratimi dhe zbatimi i këtij akti do të ketë një impakt pozitiv në këtë drejtim, çka duhet shoqëruar me më shumë edukim dhe vëmendje qytetare, që mbetjet e tilla të mos i shohim anës rrugëve, shtretërve të lumejve”, tha Mediu.

Ministri foli edhe për bateritë dhe akumulatorët, që si rezultat i shtimit të mjeteve dhe pajisjeve, që përdorin ato janë kthyer gjithashtu, në një shqetësim të madh mjedisor, por edhe për vetë shendetin e qytetarëve.

Duke iu referuar lëndëve të rrezikshme që prodhojnë bateritë, ministri theksoi se në vendin tonë nuk ka një skemë të çertifikuar të grumbullimit dhe trajtimit të baterive pas daljes nga përdorimi.

Mediu tha se ka shumë subjekte që i grumbullojnë, por kushtet e tyre të ruajtjes nuk përmbushin standartet e nevojshme mjedisore.

Ndaj aktet e paraqitura tha ministri i MPAU përmbajnë kërkesat e nevojshme për administrimin e baterive dhe akumulatorëve për të permbushur standartet mjedisore, në përputhje me direktivat përkatëse të BE.

Por trajtim mjedisor në BE, bëhet edhe për pajisjet elektrike dhe elektronike të hedhura, të cilat të hedhura në mënyrë të paautorizuar shkatërrojnë mjedisin.

Mediu ka vënë pikërisht theksin te kuadri ligjor, i cili do të bëjnë të mundur menaxhimin më të mirë të mbetjeve urbane, me qëllim ruajtjen e mjedisit.

mit/NOA
KOMENTE