English

Ministria e Financave: Rama në zi se realizuam planin e të ardhurave 104 %

Tiranë, 27 korrik, NOA – “Rama është zhytur në zi dhe në krizë të pashpresë, sepse këto 6 muaj nga tatimet dhe doganat u mblodhën 104 miliardë lekë nga vetëm 50 miliardë, që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit 2004, vitit më të mirë qeverisës të partisë së zotit Rama. Pra, u mblodhën 104 % më shumë të ardhura”.

Ky ka qenë reagimi i ministrisë së Financave, përmes zëdhënëses së saj, Anisa Serbo, lidhur me akuza e lëshuara nga deputetja socialiste Rudina Seseri për alarme krize.

“Sot, kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Rama, u fryu sërish sirenave të krizës ekonomike. Kësaj radhe, jo me gojën e zonjës Berberi, por me vajet e zonjës Seseri.

Ky qëndrim i zotit Rama dëshmon, më së miri, tronditjen e tij të thellë politike, shpirtërore dhe psikologjike, për shkak të rritjes së rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, gjë të cilën zoti Rama e cilësoi një veprim kriminal”, tha zëdhënësja e qeverisë.

Duke shtuar se Rama përjeton me vuajtje të madhe faktin se eksportet e vendit këtë 6 mujor arritën në 82 miliardë lekë, kundrejt vetëm 48 miliardëve që ishin në të njëjtën periudhë të vitit te kaluar.

Sipas saj, Rama ndihet i mjeruar nga fakti se sot, Shqipëria ka rritjen ekonomike më të madhe në Europë dhe ka garantuar 3.2 miliard euro, si grante dhe kredi për tre vitet që vijnë, dëshmi kjo e besimit të palëkundur të financave ndërkombëtare tek ekonomia shqiptare.

“E këshillojmë zotin Rama, që, më mirë sesa të ngushëllohet me lotët e Seserit dhe vajet e Berberit, të marrë treguesit dhe të dhënat e ekonomisë shqiptare pranë ministrisë së Financave ose nga institucionet ndërkombëtare”, mbyllet deklarata e ministrisë së Financave.

n.e/NOA

KOMENTE