English

Mmpau Prezanton Tre Projekt-Vendime Për Mbrojtjen E Mjedisit

- Sipas ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Adminsitrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, këto tre akte janë pjesë e akteve nënligjore të Ligjit për Mbetjet - TIRANË, 27 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Projekt vendimet "Për Ambalazhet dhe Mbetjet e tyre", "Për Bateritë dhe Akumulatorët" dhe "Për Mbetjet nga Pajisjet Elektrike dhe Elektronike", të prezantuara sot në Hotel Tirana International, mundësojnë përafrim të mëtejshëm të legjislacionit vendas në fushën e mjedisit me atë europian. Këto projekt vendime janë hartuar në kuadër të reformës për përafrimin e legjislacionit mjedisor, ndër më të mëdhatë të ndërmarra dhe që siguron përafrim të legjislacionit mjedisor me direktivat e Bashkimit Europian në masën 100 %. Kjo reformë, sipas ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Adminsitrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, përmban ligjet bazë, mbi të cilat mbështeten politikat kryesore të kësaj ministrie, lidhur me mjedisin, ujërat dhe burimet natyrore në përgjithësi. "Përveç shkallës së përafrimit, këto akte përmbajnë objektiva, që synojnë krijimin e infrastrukturës së nevojshme për implementimin e këtij kuadri ligjor, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e standarteve mjedisore ndërkombëtare, si detyrime që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe programit të Qeverisë", theksoi Mediu. Sipas tij, përgatitja e kuadrit ligjor, me konsulencën ndërkombëtare dhe atë të ekspertëve më të mirë në vend, merr në konsideratë shkallën aktuale të zhvillimit ekonomik, social dhe shoqëror të vendit, si dhe përvojën e krijuar në këto vite. Duke u ndalur në projekt-vendimet e hedhura sot për diskutim, ministri Mediu tha se këto tre akte janë pjesë e akteve nënligjore të Ligjit për Mbetjet dhe përgatitja e tyre bën të mundur zbatim më të plotë dhe efiçent të ligjit, me miratimin e tij. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, nënvizoi se "përveç problemeve të peisazhit, pjesa që ka të bëjë me batëritë, akumulatorët dhe pajisjet elektrike janë me rrezikshmëri në shëndetin e njerëzve". Sipas tij, përmasat e këtyre mbetjeve në dekadat e fundit, dhe nivelet e përmbajtjes që kanë me lëndë të rrezikshme për shëndetin dhe lënia e tyre vend e pa vend përbëjnë shqetësim të madh. "Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemet me të ushqyerit dhe lëndë të rrezikshme që hidhen janë të reflektuara në problemet shëndetësore të popullsisë në vend. Rritja e përmasave të disa sëmundjeve kanë origjinë këto dy çështje themelore; kequshqyrjen por dhe problemet me ndotjen", tha Gjana./ch/
KOMENTE