English

Mppt Deri Tani Ecuria E Investimeve Është Në Masën 80 % , Qeveria I Akordon Fonde Shtese

TIRANE 27 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Në buxhetin shtesë të miratuar një ditë më parë në Parlament, Ministrisë së Puneve Publike dhe Transportit i akordohet një shtesë prej 4.33 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për investimet në infrastrukturë. Sipas burimeve zyrtare të MPPT-së ecuria e mirë e shpenzimit të fondeve për invesime publike nga kjo ministri ka bërë të nevojshme akordimin e fondeve shtesë për përfundimin e projekteve të rëndësishme, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Burimet theksuan se deri tani fondet për investime publike janë shpenzuar në masën 80%, nga 73% që ishin realizuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike gjatë vitit 2010. Në fillim të vitit nga buxheti i shtetit për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit u akorduan 47 miliardë lekë fonde ose rreth 55% të totalit të investimeve publike. Në buxhetin 2010 parashikohet që 68% e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Pjesën më të madhe të investimeve vazhdojnë ta zënë investimet në rrugë, ku projektet kryesore që do të financohen janë rruga Rrëshen-Kalimash, by-pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, rruga Milot- Fushë Krujë (dublimi i superstradës), ndërtimi i rrugës së Arbërit, rruga Dhermi-Vuno, e Porto Romanos në Durrës, Kukës- Morinë, si dhe Kardhiq-Delvine. Në të njëjtën kohë, sektori rrugor zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 57% të totalit të financimeve të huaja) me projekte për ndërtim rrugësh. Në sektorin rrugor po shpenzohen 4.1 miliardë lekë për sistemimin, asfaltimin dhe riveshjen e rrjetit të rrugëve nacionale. Një shumë prej rreth 287 milionë lekë po investohet për supervizionin e punimeve të ndërtimit dhe sistemimit të rrugëve nacionale. Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion të ndërtimit të sistemit rrugor edhe 1 miliardë lekë për shpronësime. Sektori tjetër ku janë përqëndruar fondet e investimeve për këtë ministri është ai i ujësjellës-kanalizimeve, për të cilin po investohen 8.19 miliardë lekë, nga të cilat 3.87 miliardë lekë janë financim i brendshëm. Të gjitha projektet e investimeve të përfshira për financim në këtë program janë me kontrata të lidhura dhe në vazhdim. Në fondet me financim të brendshëm janë parashikuar 1.14 miliardë lekë për ndërtime dhe rehabilitime të objekteve të mëdha të ujësjellës-kanalizimeve, 850 milionë lekë për kontributin e Qeverise Shqiptare në projektet me financim të huaj dhe 1.85 miliardë lekë për t'u shpërndarë nga "Fondi për zhvillimin e rajoneve" për këtë sektor. /f.n/
KOMENTE