Në 6 Muaj Zhdoganohen 1.764 Ton Cigare
TIRANE, 25 Shtator/ATSH-A.Gjonaj/-Pavarësisht tentativave të qeverisë për të ulur konsumin e cigares në vend zhdoganimi i këtij artikulli ka ardhur në rritje vit pas viti.
Referuar këtij fakti, krahas masave sensibilizuaese nga autoritetet shëndetësore publike, qeveria ndërmori një tjetër hap për uljen e konsumit të cigares, në shtator të vitit të kaluar duke rritur akcizën edhe me 10 lekë/paketë, pas rritjes së fundit prej 15 lekë/paketë në vitin 2006, së bashku me miratimin e ligjit Antiduhan në vitin 2007.
Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në 6 muajt e parë të këtij viti janë zhdoganuar 32 ton cigare më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar (2009). Në këtë 6 mujor janë zhdoganuar 1 764 ton nga 1732 t te zhdoganuara ne te njejten periudhe te vitit 2009.
Shqipëria renditet ndër vendet me një konsum të lartë të duhanit. Statistikat tregojnë se aktualisht në vend numërohen rreth 900 mijë konsumatorë, që përgjatë një viti llogariten të pijnë mbi 6 mijë tonë duhan, ndërkohë që konsumi i cigareve në vend po njeh rritje.
Ekspertë të financave publike u shprehën se vendimi synon uljen e konsumit të këtij artikulli nga shtetasit shqiptarë, pasi ky lloj malli konsiderohet i dëmshëm për shëndetin, jo vetëm të atyre që e konsumojnë, por edhe personave të tjerë rreth tyre.
Fenomeni i duhanpirjes, sipas specialistëve, është më i shpeshtë në vendet e varfëra dhe ato në zhvillim. Shqetësuese janë statistikat, sidomos për të miturit e të rinjtë si dhe femrat në Shqipëri, pasi numri i tyre është rritur me shpejtësi në vitet e fundit dhe vazhdon të njohë një progresion të tillë. Vetëm gjatë vitit 2009 në vendin tonë hynë përmes doganës 4,064 ton cigare.
Në Shqipëri në maj të vitit 2007 ka hyrë në fuqi ligji i duhanit, i njohur si "Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", që synon të ashpërsojë luftën ndaj konsumit të duhanit. Nenet kryesore të ligjit ndalojnë pirjen e duhanit në të gjitha mjediset publike të mbyllura, së bashku me ndalimin e reklamës së duhanit.
Sipas OBSH, çdo 6.5 sekonda në botë vdes një duhanpirës. Studimet tregojnë se personat që fillojnë të pijnë duhan në adoleshencë, që zënë më shumë se 70 për qind të duhanpirësve, dhe vazhdojnë të pijnë duhan për 20 vjet, humbasin 20-25 vjet, krahasuar me jo duhanpirësit. Ndërsa në botë numërohen më shumë se 1 miliardë duhanpirës.
Në Shqipëri rreth 81 për qind e duhanpirësve fillojnë të pijnë duhan para moshës 18 vjeç. Ndërsa në botë, sipas OBSH-së, bëhen çdo ditë duhanpirës rreth 80 000 deri 110 000 të rinj dhe fëmijë më të rritur. /f.n/