Durrës, 27 korrik, NOA – Nën organizimin e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe me mbështetje të qeverisë së Kosovës, mbi 40 biznese kosovare kanë filluar aktivitetin e tyre promovues në qytetin e Durrësit.
Në kuadrin e këtij aktiviteti, bëhet me dijeni se kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe kryetari i AKB-së, Agim Shahini kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi.
“Ky është një hap i vogël, por i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin në fushën e biznesit të dyanshëm. Ai tashmë është shumë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm pas ndërtimit të rrugës së kombit”, tha lidhur me një fakt të tillë, Dako.
Duke shtuar se në qytetin e Durrësit, janë vendosur rreth 30 biznese të Kosovës dhe për këtë biznesmenët kosovarë duhen falënderuar për iniciativën e promovimit të produkteve të Kosovës në Shqipëri.
Ndërsa kryetari i AKB-së Agim Shahini, ka kërkuar që kjo iniciativë dhe Memorandumi i mirëkuptimit të ndikojë për eliminimin e barrierave doganore dhe të ketë efekt pozitiv në shkëmbimet tregtare.
“Bizneset kosovare tashmë kanë potenciale dhe mundësi të shtrirjes në Shqipëri por edhe më gjerë”, tha Shahini.
Në fund, ai ka falënderuar Bashkinë e Durrësit për gatishmërinë që ka treguar për t’i mundësuar produkteve kosovare të ekspozohen në qytetin e bregdetit shqiptar.
n.e/NOA