Tiranë, 27 qershor, NOA – Në tetor të këtij viti do të nisë rregjistrimi i njësive ekonomike jo bujqësore në të gjithë territorin e vendit.
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo mblodhi sot për të parën herë Komisionin Qendror të Rregjistrimit të Njësive Ekonomike Jobujqësore, i krijuar me VKM, në mars të këtij viti.
Rregjistrimi i përgjithshëm i njësive ekonomike jobujqësore bëhet për të siguruar informacion të hollësishëm për njësitë ekonomike jobujqësore brenda territorit të vendit; të ofrojë të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe vënien në zbatim të politikave të përgjithshme të zhvillimit ekonomik; të përditësojë rregjistrin e njësive ekonomike jobujqësore dhe të krijojë rregjistrin e njësive lokale ekonomike; të përmirësojë cilësinë e treguesve identifikues dhe ekonomikë ekzistues, si edhe të bëjë përcaktimin e treguesve të rinj, veçanërisht të atyre ekonomikë; apo edhe të identifikojë lidhjen që ekziston ndërmjet njësisë ligjore dhe njësisë ekonomike jobujqësore.
Në këtë mbledhje ministri Pollo, evidentoi se një nga detyrat e këtij komisioni është është të intervistojë të gjitha njësitë ekonomike jobujqësore për të siguruar informacion të plotë identifikues dhe ekonomik, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin shqiptar.
Objekt i rregjistrimit janë edhe administrata publike, organizatat jo fitimprurëse (OJF) dhe organizatat ndërkombëtare.
Komisioni Qendror i Rregjistrimit të Njësive Ekonomike Jobujqësore është ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave në mars të këtij viti, dhe drejtohet nga ministri për Inovacionin, Genc Pollo dhe ka në përbërje të tij ministrin e Ekonomisë, të Financave, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e përgjithshëm të INSTAT, drejtuesit e QKR, të tatimeve, dekanin e Fakultetit Ekonomik, të Universiteti të Tiranës dhe përfaqësues nga kryeministria.
mit/NOA