English

“Parada e Dashurisë”, sheshi me 1 milionë veta mbante vetëm 250 mijë

Duisburg, 27 Korrik, NOA – Ndërsa ditën që ndodhi tragjedia kishte mbi 1 milionë persona, sheshi i qytetit gjerman Dusiburg, ku po zhvillohej manifestimi “Parada e Dashurisë”, bëhet me dijeni se mund të mbante vetëm 250 mijë persona.

Kaq është përllogaritja që kishin bërë ndërtuesit e këtij sheshi, e cila vërtetohet sipas një dokumenti të fundit të nxjerrë nga grupi hetimor, sipas të cilit, organizatorët kanë shkelur të gjitha normat e sigurisë.

E kjo, pasi kanë lejuar të futen në atë shesh 4-fishi i njerëzve që mund të qëndronin brenda tij, duke lejuar që të ndodhte më pas edhe ajo që ndodhi, tragjedia me 19 të vdekur dhe mëse 350 të plagosur nga përplasja mes turmës në momentin që do të hynin nga sheshi për në tunel.

Ndërkaq, kryebashkiaku i qytetit gjerman Duisburg, Adolf Sauerland, pohoi se nuk ka patur informacione për masa të pamjaftueshme sigurie para fillimit të aktivitetit.

Por disa media vendase njoftojnë se policia në Duisburg ka shprehur në prag të aktivitetit rezerva ndaj konceptit të sigurisë, e këtë duke e argumentuar me faktin se “Parada e Dashurisë” është miratuar nga administrata e qytetit pak orë para fillimit të saj dhe mesa duket, deri në momentin e fundit është menduar, që ajo të anulohej.

n.e/NOA

KOMENTE