Peqin: Shembet Nje Pjese E Murit Rrethues Te Kalase Se Lashte Te Qytetit
PEQIN, 27 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku/ .- Kushtet klimatike dhe shirat e rëna gjatë tre muajve të fundit në rajonin e Elbasanit, kanë shembur në një gjatësi prej 3-4 metra lineare murin rrethues së kalasë së lashtë të Peqinit, që ka shërbyer si vendbanim i ilirëve.
Kryetari i Bashkisë se Peqinit, Ilir Rrusha, pohon për ATSH-në se, "dëmtimi i mureve rrethuese të kalasë së (Peqinit) Klaudianës, ka ndodhur gjatë tre muajve të fundit duke dëmtuar muret rrethuese të pjesës jugperëndimore të saj".
Ai e cilëson dëmtimin si një katastrofë, pasi sipas tij, "kjo kala është një dëshmi e historisë dhe e kulturës së lashtësisë së qytetit më të vjetër të Shqipërisë së Mesme, që ndodhet në rrugëkalimin kyç të Via Egnatia".
Bashkia e Peqinit i ka dërguar ditët e fundit një shkresë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, që të miratojnë fondet për rikonstruksionin e pjesës së dëmtuar të mureve te Klaudianës.
"Çdo vonesë rrezikon shkatërrimin e dalëngadalte edhe të pjesës tjetër të mureve të kësaj kalaje", thotë Rrushaj.
Kalaja e Klaudianës është dëshmi historike e lashtësisë së Peqinit. Në pjesën jugore të qytetit, muret e saj të japin përshtyjen e një rrethimi të vogël, por më pas kur e viziton në të gjitha anët, kupton se nuk është e zakonshme. Themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës "Egnatia" dhe më pas është rikonstruktuar gjatë pushtimit turk.
Muret e kalasë, që mban emrin e vendbanimit ilir të Klaudianës, kanë patur një lartësi prej rreth 12 metrash. Kalaja e Klaudianës u zgjerua në shekullin e XIV-të nga turqit, të cilët ia dhanë më pas Spahiut të Kazasë, i cili ndërtoi një saraj dykatësh dhe një harem. Demir Pasha ka qenë i fundit që jetoi në kalanë e Peqinit.
Këtë fortesë e përmend në shënimet e tij kronikani i shekullit të XVII-të, Çelebiu, i cili thotë: ".muret e kësaj kështjelle shkojnë rreth 12 metra të lartë. Brenda rri dizdari dhe ka 70 ushtarë. Ka 5 topa në këtë kështjellë dhe 10 shtëpi të vogla të mbuluara me tjegulla. Ka gjithashtu një xhami të vogël pa minare. Në të majtë të kështjellës ngjitur me një mur ka një namazgja.".
Gjatë gërmimeve ndër vite në muret e kalasë janë gjetur tuba prej balte, që sipas arkeologëve, në kohë lufte furnizimi me ujë është bërë nga jashtë. "Nëse gërmohet në brendësi të saj, atëherë interesi do të ishte i madh", thotë kryetari i bashkisë së Peqinit, Ilir Rrusha. /a.ke/