English

Profesionet E Vështira/ Kkp Miraton Projektligjin, Përfitojnë 3 Mijë Persona

TIRANË, 27 Korrik/ATSH/.- Këshilli Kombëtar i Punës (KKP) i drejtuar nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barbarta, Spiro Ksera miratoi sot projektligjin "Për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të veshtira dhe të rrezikshme", nga i cili do të përfitojnë rreth 3 mijë persona. Drejtori i Drejtorisë së Politikave për Pagat dhe Pensionet në Ministrinë e Punës, Astrit Kuka, prezantoi risitë e projektligjit, që është konsultuar me grupet e interesit dhe bazohet në një studim paraprak të legjislacionit të vendeve të tjera. "Projektligji parashikon mbështetje financiare për punonjësit që kanë punuar në punë të vështirë, të kategorisë së parë në moshën 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë", tha Kuka. Sipas tij, kërkesat e vazhdueshme të sindikatave për trajtimin e punonjesve te profesioneve te veshtira, u vleresuan nga Kryeministri, i cili me Urdherin nr. nr.28, datë 5.2.2010, ngriti grupin e punës për trajtimin e kërkesave me qëllim propozimin e projekt-akteve të nevojshme ligjore. Anëtarët e KKP-së kërkuan kalimin sa më shpejt të projektligjit për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend. Debate zgjoi në KKP diskutimi rreth propozimeve të industrise fasoniste mbi disa ndryshime ligjore për mbështetjen e saj. Sipas ministrit Ksera, industria fasoniste ka peshë të madhe në tregun vendas dhe konsiderohet si punëdhënësi më i madh, ndaj diskutimi në Këshillin Kombëtar të Punës rreth shqetësimeve dhe propozimeve të tyre vlerësohet shumë i rëndësishëm. Propozimet e industrisë fasoniste u prezantuan nga drejtori i Dhomës së Industrisë së Fasonëve, Bardhi Sejdarasi, i cili tha se, "sektori i fasonit, në vazhdën e partneritetit të realizuar me Qeverinë, ka kërkuar e kërkon mbështetje ligjore, vëmendje për t'i mbijetuar efekteve të krizës, që ka sjellë impakt negativ në tërë ecurinë e sektorit". Ai renditi kërkesat e paraqitura nga ky sektor, ndër të cilat, janë heqja e taksës së tatim-fitimit për një periudhë 3-5-vjeçare, përjashtimi i punonjësve të rinj nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore për 1-3 vjet, heqjen e TVSH dhe taksës doganore, etj. Ministri Ksera, njëherësh edhe kryetar i Këshillit, propozoi që të gjitha palët të reflektojnë rreth diskutimeve të bëra në mbledhjen e KKP dhe brenda dhjetë ditësh të paraqesin pranë Ministrisë së punës propozimet për mbështetejn e këtij sektori. "Pas mbledhjes së propozimeve, në funksionin tim si Kryetar i Këshillit, do t'ia bëj ato me dije Këshillit të Ministrave, me qëllim diskutimin e tyre nga institucionet përgjegjëse", u shpreh Ksera. Po ashtu, në mbledhje u disktua edhe rreth Konventave të ILO të ratifikuara nga Shqipëria dhe u miratua fillimi i procedurave për ratifikimin e Konventës "Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në Ndërtim". KKP është organi më i lartë konsultativ tripalësh në vend, në përbërje të të cilit në funksionin e anëtarit bëjnë pjesë shtatë ministra si dhe njëzet përfaqësues të partnerëve socialë, nga të cilët dhjetë përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të organizatave sindikale./e.gj//a.ke/
KOMENTE