English

PS: Shkurtimet në buxhet, papunësi, fshat i varfër, frenim biznesit

Tiranë, 27 korrik, NOA – Selia rozë ka akuzuar rishtas sot miratimin e ndryshimeve në buxhet, vetëm me kartonat e mazhorancës dhe duke shkelur hapur procedurat parlamentare.

Duke iu referuar vendeve të tjera që për të dalë nga rënia ekonomike kanë mbi 18 muaj që kanë ndërmarrë reforma, deputetja e Partisë Socialiste, Rudina Seseri tha qeveria shqiptare është e fundit që kujtohet për krizën, ku ajo shënjoi ministrin e Financave Bode si ministër i Piramidave, dhe përgjegjësin kryesor të mosbalancimit të buxhetit dhe fshehjes së të vërtetës së krizës.

“Shkurtimet në buxhet janë bërë pa asnjë analizë të realizimit të investimeve nga ministritë. Është e pafalshme që, në 6-mujorin e parë, Ministria e Bujqësisë realizoi vetëm 6% të investimeve, Ministria e Arsimit vetëm 7% dhe Ministria e Shëndetësisë vetëm 19%. Janë pikërisht këto ministri, që u goditën më shumë nga ndryshimet në buxhet. Duke i shkurtuar fondet këtyre sektorëve prioritare, qeveria godet rëndë përsëri fshatin, bën hapa mbrapa në zhvillimin e arsimit dhe përkeqëson shërbimin shëndetësor”, deklaroi deputetja Seseri.

Sipas saj, “Ndryshimet, që iu bënë buxhetit nuk zbusin krizën, por e thellojnë atë sepse janë ndryshime, që nuk shoqërohen me politika që lehtësojnë biznesin, nuk favorizojnë prodhimin, nuk nxisin punësimin, nuk mbështesin familjet e varfra të përballojnë shtrenjtimin e jetesës”.

Seseri vijoi prognozën më tej duke thënë se buxheti i miratuar do të ngadalësojë më tej ekonominë dhe do të varfërojë shqiptarët.

Deputetja Rudina Seseri nënvizoi ndër të tjera se “Thelbi i problemit është se qeveria asnjëherë nuk ka ditur të bëjë dallim midis shpenzimit dhe investimit, duke venë shenjën e barazimit mes tyre. Në ekonomitë e zhvilluara jo autoritare, investimet bazohen në projekte rigoroze dhe përzgjidhen me kritere të rrepta ekonomiko-socialo-mjedisore, që marrin në konsideratë koston, kthimin e kapitalit të investuar, fitimin monetar dhe krijimin e të mirave publike”.

Deputetja socialiste tha se pikërisht këtij “mish-mashi konceptesh”, siç i quajti ajo, qeveria i ka përzier edhe termin koncesion : kur nuk ka para investimin e quan koncesion, një nivel mediokër menaxhimi financash publike, që shpenzon paratë pa kufi, nuk nxjerr të ardhura dhe lë shteg për abuzime gjigante”.

mit/NOA
KOMENTE