Qeveria, Ndermjetese Per Kredite E Fermereve
TIRANE, 27 Korrik/ATSH-E.Xhajanka/-Për të nxitur kreditimin e bujqësisë nga bankat, qeveria po zbaton për herë të parë këtë vit skemat e garancisë për fermerët.
Këshilli i Ministrave miratoi pak kohë më parë Fondin e Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në shumën 1.4 miliardë lekë, ku pjesë e tij është edhe Fondi i Garancisë në shumën 220 milionë lekë për nxitjen e kreditimit të veprimtarive bujqësore të agroindustrisë dhe të atyre të orientuara për eksport.
Ky fond garanton në masën 50 për qind të principalit kreditë që merren për fushat e përcaktuara. Nga ky fond mund të përfitojnë garantim kredie përfituesit që plotësojnë këto kushte: të jenë biznese të regjistruara si person fizik apo juridik në Republikën e Shqipërisë dhe të kenë paguar rregullisht detyrimet fiskale ndaj shtetit; të jenë biznese që veprojnë në fushën e grumbullimit, ruajtjes, tregtimit, përpunimit dhe eksportit të produkteve bujqësore dhe ushqimore për një periudhë jo më pak se 12 muaj nga data e aplikimit për garanci; të përdorin kredinë që kërkojnë të garantojnë për qëllime investimi në fushat e përcaktuara.
Aplikimet për këtë fond bëhen në zyrat e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit gjatë gjithë vitit 2010.
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, lidhur me këtë çështje deklaroi pak ditë më parë për mediat se, "MBUMK ka projekte që synojnë të nxisin bankat tregtare të kreditojnë fermerët. Për herë të parë këtë vit po aplikohet skema e garancisë.
Për ata fermerë apo industrialistë që duan të investojnë në ngritjen e platancioneve apo industrive ushqimore dhe aplikojnë në bankë, shteti mbulon 50 për qind të kolateralit. Një skemë e dytë është subvencionimi i interesit. Për projektet e kredisë që miratohen nga bankat, iu mbulohen deri në 70 për qind të kostove të interesit. Mendoj se këto dy skema, edhe pse janë në fazën e parë dhe ende nuk njihen mirë nga fermerët, ato në vetvete janë të suksesshme dhe nxitëse".
/f.n/