Reportazh: Nga Kosova Në Shkodër, Për Një Foto Me Isa Boletinin
SHKODËR, 27 Korrik/ATSH-G. Marku/- Rreth një vitë më parë, kur makina me të cilën udhëtonte këngëtarja e njohur kosovare Adelina Ismaili kaloi pranë monumentit të Isa Boletinit, në Shkodër, ajo i kërkoi shoferit, siç rrëfeu më vonë në një intervistë televizive, të ndalte makinën, dhe pasi zbriti bëri fotografi në çdo cep të tij.
Ajo nuk është rast i veçuar në adhurimin e figurës së famshme historike nga Mitrovica, Kosovë, i njohur për luftrat për pavarësi. Çdo verë, qindra turistë kosovarë që pushojnë në Velipojë dhe Shëngjin, gjejnë kohë të vizitojnë dhe Isa Boletinin.
Grupet e turistëve që takuam sot vinin nga Peja, Prishtina, Podujeva, etj. Një pjesë ishin emigrantë, për shembull, Isa Vokshi, 41 vjeç, me banim në Suedi.
"Kisha dëgjuar që në Shkodër është një monument madhështor për Isa Boletinin, dhe hera e parë që m'u dha rasti të vij me pushime, menjeherë gjeta rastin të jem këtu së bashku me familjen time për të vizituar monumentin", thotë Vokshi.
Ai tregon se emocionet kur dëgjon të flitet për Isën, siç e thërrasin kosovarët. Babai i ka treguar se emrin që ai ka ia kanë vënë në kujtim të Isa Boletinit.
"Shumë bukur, diçka me të vertetë për t'u pasur në konsideratë. I lumtë Shkodrës që e ka nderuar Isa Boletinin me vendosjes e këtij monumenti, i cili për momentin në Kosovë mungon", thotë Abdurrahimi që ka pranë bashkëshorten Mahmudije, dy më të vjetrit e grupit, që pranë tyre kanë edhe djemtë, nipat dhe mbesat.
Me të njëjtat emocione flet edhe Sali Aliu nga Matarova e komunës së Podujevës, dhe ai me pjesëtarë të familjes së tij. Të gjithë bëjnë fotografi me Isën.
Ai thotë se ka ardhur disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Tiranë e Durrës, por tashti është hera e parë që vjen në Shkodër duke mos e fshehur aspak kënaqësinë që ndjeu duke e vizituar këtë qytet të lashtë e plot histori.
"Quhen Milaudin Lahu dhe vij nga Prishtina," thotë një turist tjetër, që ka ardhur me bashkëshorten e tij Miranda dhe fëmijët e vegjël, të cilëve u flet për historinë e kësaj figure të shquar.
Kosovarët e çmojnë pa masë Shkodrën, për vlerësimin që ajo i kanë bërë Isa Boletinit. Sipas tyre, edhe në Kosovë gjërat po ecin mirë, ka filluar puna për riparimin e kullës së familjes së Boletini. Ata shpresojnë që në të ardhmen Kosova t'i ngrejë Isës një monument si të Shkodrës. /ch/