Riad, 27 Korrik 2010, NOA - Një avion mallrash i kompanisë gjermane Lufthansa u rrëzua sot në aeroportin e Riadit, Arabia Saudite. Lajmin e konfirmoi televizioni arab “Al-Ekhbariya” pa dhënë hollësi të mëtejshme.
“Al-Ekhbariya” nuk dha hollësi për rrethanat e aksidentit, ndërsa televizioni satelitor “Al Arabiya” tha se rrëzimi ka ndodhur në momentin e uljes. Sipas televizionit në fjalë avioni kur ka prekur tokën është ndarë në dysh. Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe automjetet emergjente. Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit së bashku me pilotin janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e aeroplanit dhe janë dërguar në spital.
Televizioni satelitor “Al-Arabiya” raportoi, se zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarrin e shkaktuar nga aksidenti dhe se të gjashtë anëtarët e ekuipazhit nuk kishin dëmtime serioze. Shkaku i aksidentit nuk dihet ende, por dëshmitarët thonë se kanë parë tym të zi nga avioni në fluturim.
Aksidenti ndodhi në orën 11,15 sipas orës lokale, gjatë uljes së avionit në aeroportin King Khaled, të kryeqytetit të Arabisë Saudite. Gazeta lokale "Al-Riadh 'ka botuar tashmë në faqen e internetit të saj foto ekskluzive nga aeroplani i rrëzuar, që vijnë nga Frankfurti.
a.e./NOA