Serbi - Kosova: Deputetët Serbë Për Një Zgjidhje Kompromisi Me Bisedime
E
BEOGRAD, 27 korrik /ATSH-AFP/ - Parlamenti serb shprehu gjatë natës së djeshme mbështetjen për qeverinë që ajo t'i paraqesë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator një projektrezolutë në të cilën kërkon bisedime të tjera për të shkuar në një "zgjidhje kompromisi" lidhur me çështjen e Kosovës.
Mocioni parlamentar u miratua me 192 vota pro, 26 kundër dhe dy abstenime, në përfundim të një debati që vazhdoi gjatë gjithë ditës dhe që u transmetua në televizionin publik RTS.
Parlamenti serb u thirr në një seancë të jashtëzakonshme pas mendimit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, që arriti në përfundim të enjten se shpallja e pavarësisë nga autoritetet e Prishtinës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në një mocion për vazhdimin e "mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit", deputetët serbë shprehen se projektrezoluta serbe, e miratuar nga Asambleja e përgjithshme, "do t'i hapë rrugën një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën nëpërmjet bisedimeve"
"Parlamenti autorizon qeverinë të ndërmarrë të gjitha përpjekjet diplomatike për të siguruar miratimin e kësaj rezolute nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara", thuhet në dokument.
Në dokumentin e miratuar nga parlamenti serb konsiderohet si "e nevojshme" arritja, me "bisedime paqësore", në një "zgjidhje të përhershme, të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të dyja palët për Kosovën, në përputhje me kushtetutën serbe".
Në të konfirmohet qëndrimi i serbëve sipas të cilit Beogradi nuk do ta njohë asnjëherë, "në mënyrë të nënkuptuar apo të hapur" shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, është shprehur më parë përpara parlamentarëve se Serbia parashikon ta hartojë e vetme këtë projektrezolutë, duke shmangur kështu mundësitë e përmendura këto ditë nga shtypi serb sipas të cilave një rezolutë e tillë do të përgatitet në bashkëpunim me evropianët.
Ministri ka shtuar se kërkon që projektrezoluta të ketë si rezultat rifillimin e bisedimeve për statusin e pavarësisë së Kosovës.
"Serbia kërkon që Kombet e Bashkuara të arrijnë në përfundimin se kosovarët nuk kishin të drejtë të shpallnin pavarësinë", shtoi ai.
Për autoritetet e Prishtinës, përjashtohet rifillimi i bisedimeve për pavarësinë.
Evropianët i ftojnë gjithashtu serbët dhe kosovarët të rifillojnë dialogun duke lënë mënjanë çështjen e pavarësisë.
Debati nuk u karakterizua nga teprime verbale të zakonshme për opozitën ultranacionaliste.
Megjithatë, disa deputetë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb, Boris Tadiç dhe të Vuk Jeremiç, pas mendimit të GJND-së.
Presidenti serb pranoi se mendimi i gjykatës përbën një "goditje të rëndë për Serbinë".
Sidoqoftë, ai theksoi se përpjekjet e vendit të tij lidhur me çështjen e Kosovës nuk duhet ta çojnë vendin e tij në izolim ndërkombëtar dhe se Beogradi nuk duhet të bëhet armik me evropianët.
"Beogradi duhet të ketë marrëdhëniet më të mira të mundshme me fuqitë e mëdha, sepse çdo politikë tjetër do ta çonte Serbinë drejtpërdrejt në katastrofë dhe qytetarët e saj direkt në varfëri", ka thënë ai.
"Serbia duhet të bëhet një vend anëtar i Bashkimit Evropian, sepse ajo nuk ka alternativë tjetër", shtoi ai.
/I.Pu.