Shkolla "Petro Nini Luarasi" Drejt Rehabilitimit Për Sezonin E Ri Shkollor
TIRANË 27 Korrik/ATSH, Gjergji Mima/ - Një prej gjimnazeve më të spikatur në kryeqytet, shkolla e mesme "Petro Nini Luarasi" po rikonstruktohet këtë muaj për të qenë gati në shtator me fillimin e vitit të ri shkollor.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inspektoi sot punimet për rehabilitimin e këtij gjimnazi.
"Në 6 shtator të gjithë nxënësit dhe nxënëset e "Petro Ninit" do ti presim në kushte bashkëkohore, siç e meriton tradita e kësaj shkolle. Shqipëria europiane mund të administrohet dhe të ecë përpara falë njerëzve të ditur e të edukuar, ndaj Bashkia e Tiranës duhet të krijojë të gjithë kushtet optimale për të garantuar shkollimin e tyre dhe të përgatisë gjeneratën e re për t'u përballur me sfidat e së ardhmes".
Sipas tij, të investosh për shkollën nuk është asnjëherë e mjaftueshme, pasi do të thotë të garantosh dhe të investosh për të ardhmen e vendit dhe të komunitetit, t'u ofrosh studentëve mundësinë për t'u rritur dhe formuar në një ambient të përshtatshëm, t'u garantosh një mundësi më tepër në përballjen pa frikë me sfidat e botës së sotme, ku marrin gjithnjë e më shumë rëndësi përgatitja individuale, aftësia për të konkuruar dhe kërkimi cilësor.
Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi", pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr.5, po mundëson rehabilitimin tërësor dhe krijimin e kushteve cilësore për 1500 nxënësit që mësojnë në shkollën ku kanë studjuar mjaft figura të shquara në politikë, qeverisje dhe jetës shoqërore të vendit.
Sipas burimeve nga Bashkia, ndërhyrja është konceptuar jo vetëm si një hapësirë që i dedikohet mësimdhënies, por edhe si hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive, duke respektuar vlerat ambientale dhe si një organizëm arkitektonik, i cili do të shfrytëzohet maksimalisht nga nxënësit.
Rikonstruksioni tërësor prek një sipërfaqe prej 1600 m2 për të siguruar kushte komode për zhvillimin e procesit mësimor, konfigurimin e hapësirave sportive dhe kulturore. Ndërhyrja synon të përfshijë rikonstruksionin e palestrës, tarracës, dyshemesë, nyjeve sanitare, instalimin e rrjetit të ri elektrik, furnizimit me ujë, rrjetit telefonik dhe internetit, sistemin e ngrohjes qëndrore, të mbrojtjes kundër zjarrit sipas standarteve evropiane.
Pjesë e rikonstruksionit të shkollës janë edhe fasadat e godinës, sistemimi i oborrit, duke siguruar ambiente të përshtatshme për nxënësit dhe mësuesit./n.m/