English

Shqipëri-Bankë Botërore, Strategji e re Partneriteti për vitet 2011-2014

Tiranë, 27 korrik, NOA – “Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë, që ka ruajtur nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009”.

Kështu kanë dalë në konkluzion drejtorët e grupit të Bankës Botërore në mbledhjen më të fundit të tyre, ku vendosën që Banka Botërore dhe Shqipëria nga viti 2011-2014 do të bashkëpunojnë nëpërmjet një Startegjie të re Partneriteti.

Në njoftimin për shtyp të ministrisë së Ekonomisë, shkruhet se në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore u theksua se “gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Shqipëria ka qënë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një rritje mesatare vjetore prej 6 përqind, e shoqëruar kjo me ulje të shpejtë të varfërisë”.

Strategjia e re është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin, dhe bazohet në një dialog të gjerë dhe të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare dhe në konsultimet me të gjithë partnerët e zhvillimit.

Sipas njoftimit “CPS e re e përbashkët, Bankë Botërore-IFC parashikon financime deri në 275 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), dhe deri në 120-150 milionë USD nga IFC për periudhën katërvjeçare”.

Gjatë diskutimit të strategjisë, Drejtoresha e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore, znj. Jane Armitage tha se “Grupi i Bankës Botërore ka një partneritet të gjatë dhe të frytshëm me Shqipërinë dhe se shpreson të vazhdojë mbështetjen për ta ndihmuar Shqipërinë për të ruajtur ritmet e larta të rritjes, menaxhimin e mirë ekonomik dhe uljen e varfërisë. Shqipëria është një histori zhvillimi e suksesshme në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm para në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik përgjatë dekadës së shkuar,” nënvizoi znj. Jane Armitage.

Sipas saj, Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë përmes përmirësimit të konkurrueshmërisë, dhe në të njëjtën kohë duke përmirësuar shërbimin arsimor dhe atë shëndetësor, si dhe duke forcuar rrjetin e mbrojtjes sociale, si dhe do të ndihmojë Shqipërinë të përballë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të ujit dhe rritjes së shkallës së përgatitjes në rast fatkeqësish.

Strategjia e re do të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë dhe do të ndihmojë me sfidat kryesore siç janë: konsolidimi i pozitës fiskale për t’i bërë ballë sfidave të viteve të ardhshëm; përmirësimi i mëtejshëm i efiçencës së shpenzimeve publike duke marrë parasysh ndërkohë nevojat e mëdha infrastrukturore; përmirësimi i zbatimit të reformave rregullatore dhe institucionale për të nxitur konkurueshmërinë dhe investimet; rritja e nivelit arsimor dhe aftësive për të plotësuar kërkesën nga bizneset; dhe përmirësimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve shëndetësore kyç, duke u siguruar që të varfërit janë të mbrojtur nga lëkundjet ekonomike.

Programi i përbashkët i CPS i Grupit të Bankës Botërore fokusohet në tre objektiva strategjikë.

Objektivi i parë është rimëkëmbja e niveleve të rritjes së Shqipërisë nëpërmjet konkurrueshmërisë së përmirësuar, duke forcuar menaxhimin makroekonomik dhe të shpenzimeve publike, duke përmirësuar klimën e biznesit, duke trajtuar në mënyrë të përballueshme problemet shtrënguese infrastrukturore dhe duke thelluar aksesin në kredi.

Objektivi i dytë është zgjerimi dhe mbështetja e përfitimeve sociale, duke përmirësuar shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore dhe duke krijuar një rrjet të përshtatshëm sigurie.

Ndërsa objektivi i tretë është reduktimi i vulnerabilitetit ndaj ndryshimeve klimatike duke përmirësuar ruajtjen dhe menaxhimin e ujit dhe duke rritur përgatitjen në rast fatkeqësish.

Gjithashtu, Strategjia e re synon një program huamarrjeje më të fokusuar.

Ajo përfshin angazhime të koordinuara dhe plotësuese të IBRD-së dhe IFC-së në sektorët e mëposhtëm prioritarë siç janë: infrastruktura kombëtare, energjia dhe rrugët; infrastruktura bashkiake, kryesisht furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta; dhe mjedisi i biznesit.

Strategjia do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë përmirësimet në qeverisje në Shqipëri nëpërmjet përdorimit të një “filtri qeverisjeje” për të gjithë projektet e financuara nga Banka Botërore, me qëllim që të promovojë përmirësime në administrim, efiçencë dhe transparencë në gjitha strukturat e qeverisë.

mit/NOA

KOMENTE